Për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj, Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për “To Vima”, tha se dënon ashpër pushtimin rus dhe lufta duhet të ndalet menjëherë, duke theksuar se “në shekullin 21 dallimet zgjidhen në mënyrë të qytetëruar”. Kryeministri Kovaçevski shton se në kohën e globalizimit dhe ndërlidhjes “asnjë vend nuk është i izoluar dhe të gjithë jemi pak ose shumë të lidhur dhe i vuajmë pasojat”, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim.
Kryeministri Kovaçevski sqaron se Qeveria me gatishmëri reagoi për t’u përballur me rritjet e mëdha të çmimeve me mbi 600 milionë euro masa ndihmë për qytetarët dhe kategoritë e cenueshme. Lidhur me krizën energjetike, tha se Maqedonia e Veriut si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në platformën për blerjen e përbashkët të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe hidrogjenit, pas marrëveshjes së përbashkët SHBA-BE, duke theksuar se solidariteti në një kohë të sfidës globale për ne është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Bashkëpunimi ynë me Greqinë për diversifikimin është një çështje tjetër e rëndësishme. Dy qeveritë nënshkruan marrëveshje për zhvillimin e një ndërlidhësi për gazsjellës. Arsyeja e ndërtimit është forcimi i marrëdhënieve midis Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, për lehtësimin e tregtisë së gazit natyror midis dy vendeve dhe lehtësimin e zhvillimit të mëtejshëm të rrjetit të transmetimit të gazit në vendin tonë.
Një nga përparësitë e gazsjellësit është siguria e furnizimit dhe likuiditetit në treg, si dhe furnizimi me gaz nga Korridori Jugor. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, sipas procedurave. Në mënyrë shtesë, do të forcohet infrastruktura jonë energjetike dhe stabiliteti afatgjatë i furnizimit, ndërsa do të zvogëlohen shpenzimet për qytetarët dhe bizneset, sepse do të kenë qasje në energji më të lirë”, tha Kryeministri Kovaçevski për “To Vima”.