Ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen sot për një seancë urgjente për shkak të invazionit rus në Ukrainë, transmeton MIA.
Takimi do të përfshijë diskutimin e opsioneve të mëtejshme për të mbështetur Ukrainën dhe mënyrën se si blloku duhet të merret me Rusinë tani e tutje, bëjnë të ditur diplomatët. Ky takim vjen pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një paketë të re masive sanksionesh ndaj Rusisë të enjten mbrëma që shënjestron sektorët e energjisë, financave dhe transportit të vendit.Paketa përfshin ndalimin e eksportit të teknologjisë dhe kufizon qasjen e Moskës në tregjet financiare të Bashkimit Evropian.
“Paketa e sanksioneve masive të miratuara sonte tregon se sa e bashkuar është BE-ja,” tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në orët e para të mëngjesit të sotëm. Fon der Lajen tha se masat përfshijnë sanksione “që synojnë 70 për qind të tregut bankar rus dhe kompanitë kryesore shtetërore”, si dhe sektorin energjetik të Rusisë.
BE-ja gjithashtu ndaloi shitjen e avionëve për linjat ajrore ruse dhe kufizuan qasjen e Rusisë në “teknologjinë thelbësore.”
“Më në fund: vizat,” shkroi Fon der Lajen në Tuiter pas gjashtë orësh konsultimesh në të cilat ishte përfshirë edhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski. “Diplomatët dhe grupet e lidhura me të dhe njerëzit e biznesit nuk do të kenë më qasje të privilegjuar në Bashkimin Evropian”.
Udhëheqësit e BE-së u takuan pasi Rusia nisi një sulm me shumë fronte kundër Ukrainës të enjten, të cilën Ukraina e ka përshkruar si një “pushtim në shkallë të plotë” duke përdorur forcat tokësore, detare dhe ajrore.