Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është komandant super i forcave të armatosura, e konvokoi Këshillin për siguri kombëtare, në të cilin u bisedua për të gjitha masat që do të ndërmerren rreth situatës në Ukrainë, transmeton agjencia e lajmeve MIA.
Në deklaratë për mediat pas takimit të Këshillit, presidenti Meta e dënoi ashpër ofensivën ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran. “Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Evropian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Meta.
Ai dënoi sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran: “Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Evropën. Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike. Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u bashkohet thirrjeve të Aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë këtë rrugë të dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut”.