Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot në kabinetin e tij u takua me Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadorin Dejvid Gir, të cilit i shprehu falënderim për mbështetjen dhe mundësinë që t’i njoftojë përfaqësuesit e institucioneve të BE-së me procesin e reformave në vendin tonë veçanërisht duke e potencuar ripërtëritjen e dialogut me Bullgarinë fqinje. Kryeministri Kovaçevski theksoi se prioritetet e Qeverisë së re mbesin eurointegrimet, si dhe ndërmarrja e masave përkatëse për tejkalimin e krizës shëndetësore dhe energjetike, të cilat janë problem global.
Euroambasadori Gir përgëzoi Kryeministrin Kovaçevski me rastin e funksionit të ri, duke shprehur vlerësim pozitiv për hapat aktualë të ndërmarra nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Në takim është thënë se vazhdojnë reformat dhe dinamizmi i tyre veçanërisht në fushën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe krijimin e një administrate bashkëkohore dhe efikase, si dhe politikat e Agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Marrëveshjes së gjelbër evropiane.