Disa marrëveshje bilaterale për bashkëpunim në sfera të ndryshme nënshkruan sot ministrat e resorëve në suaza të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që po mbahet në Sofje.
Siç lajmëroi raportuesi i MIA-s nga Sofja, ministrat e Transportit dhe Lidhjeve, Blalgoj Boçvarski dhe Nikollaj Sabev nënshkruan dy dokumente me të cilat përforcohet ndërlidhja infrastrukturore mes dy vendeve – për Korridorin hekurudhor 8 dhe për linjën e drejtpërdrejtë ajrore Sofje – Shkup. Më konkretisht janë nënshkruar Memorandumi për zhvillim të ndërlidhjes hekurudhore Shkup – Sofje, përmes formimit të grupit të përbashkët të punës, me qëllim të ndërtimit të Korridorit hekurudhor 8 dhe Nismës për vendosje të linjës ajrore Sofje – Shkup.
Korridori 8 do të jetë një nga temat kryesore në të cilat në periudhën në vijim do të punojë grupi konkret i punës, në fushëveprimin e të cilit është infrastruktura, ndërkaq siç paralajmëroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e mbledhjes ndërqeveritare, do të punohet në të gjitha pjesët e këtij korridori, edhe në atë rrugor edhe hekurudhor, por edhe në pjesën e telekomunikimeve. Boçvarski paraprakisht deklaroi se Korridori 8, nga ana jonë, përkatësisht rruga e shpejtë Rankoc – Kriva Pallankë, korsia e tretë drejt Deve Bairit dhe rehabilitimi i plotë i rrugës ekzistuese duhet të përfundojnë nga mesi i vitit 2023 me çka do të kemi Korridor 8 tërësisht të ri, nga Shkupi deri në kufirin me Bullgarinë. Ky do të jetë investim prej 100 milionë eurove.
Ministri paralajmëroi edhe se mënyra e re e bashkëpunimit do ta përshpejtojë edhe dinamikën e hekurudhës drejt Bullgarisë. Linjën e drejtpërdrejtë ajrore, kryeministri bullgar, Petkov e paralajmëroi që gjatë vizitës në Shkup, duke cekur se në periudhë prej një muaji do të bëhen të gjitha analizat dhe vlerësimet, ndërkaq tashmë për 60 ky projekt do të realizohet. Boçvarski paraprakisht deklaroi se do të kërkohet kompani e cila do të kryejë ruta të volitshme, si për shembull Shkup-Sofje-Athinë, me qëllim që të evitohet subvencionimi i saj. Përmendet kompania bullgare “Guliver”, si dhe ajo se bëhet fjalë për fluturime të buxhetit të ulët të cilat më tej do të bëjnë interkonektim tërheqës për fluturime për në Kanada dhe SHBA, por Boçvarski nuk thekson emra konkret dhe thotë se janë hapur të gjitha opsionet. Thekson se fillimisht do të bisedohet me operatorët të cilët duhet të kenë qëndrueshmëri financiare.
Boçvarski dhe Sabev sot në Sofje nënshkruan edhe Memorandum për liberalizim të mallrave për dhe nga vende të treta. Bujqësia dhe ekonomia janë në mesin e sektorëve, në të cilët do të punohet intensivisht gjatë periudhës së ardhshme. Memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim në fushën e bujqësisë, shkencave agrare, rajoneve fshatare dhe ekonomisë pyjore nënshkruan sot ministrat e Bujqësisë së Maqedonisë së veriut dhe Bullgarisë, Ljupço Nikollovski dhe Ivan Ivanov.
Ministrat e Ekonomisë të të dy vendeve, Kreshnik Bekteshi dhe Daniel Lorer, ndërkaq nënshkruan Memorandum për mirëkuptim mes IANMSP dhe Agjencisë për nxitje të sipërmarrësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.