Nuk do t’i ndodh asgjë e keqe shtetit nëse ne e pranojmë pakicën bullgare si kategori kushtetuese, porositi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin bullgar Kiril Petkov pasdite në Kuvend. Ahmeti tha se në takim është interesuar për atë se cilat janë pengesat për epilogun pozitiv në kontestin gjegjësisht për fillimin e negociatave aderuese për BE-në dhe nga delegacioni i vendit fqinj ka dëgjuar, tha se për ta me rëndësi është në Kushtetutën tonë të theksohet pakica bullgare që jeton në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Kam folur shumë hapur për këtë me Petkovin. Ne jemi tërësisht të angazhuar që të respektohet dhe të mos e kontestojnë të drejtën e askujt që të deklarohet, pa presion, ashtu siç ndjen, kjo të reflektohet në Kushtetutë. Mendoj se asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë shtetit nëse ne e pranojmë pakicën bullgare si kategori kushtetuese. Me rëndësi është të hapen negociata për anëtarësimin e BE-së sepse ashtu ndërtojmë një të ardhme të sigurt. Marrëveshja e Ohrit i ka përfshirë të gjitha pakicat të cilët jetojnë këtu dhe me siguri me pranimin dhe me ndryshimet e rëndësishme të cilat do të bëhen vetëm do ta formojmë shtetin tonë de standardet evropiane dhe diversitetet. Do të kemi përfaqësim edhe të kroatëve edhe të malazezëve, të cilët gjithashtu kanë çështje më të ngritur që të përfaqësohen në Kushtetutën e RMV-së. Që të ndodh kjo duhet guxim dhe vullnet të mirë nga të gjithë – Kuvendi, sektori joqeveritar dhe mediat”, tha Ahmeti, duke theksuar se kjo është strategji e rëndësishme për fillimin e negociatave për BE-në.
Opinioni është në dijeni, tha ai, se dallimet midis Shkupit dhe Sofjes deri më tani janë treguar si pengesë dhe në takim është interesuar si do të mund të angazhohet për zgjidhjen.
“Por sot pashë vullnet të madh tek kryeministri i Bullgarisë kjo çështje të ketë epilog dhe mund shpejt të gjendet zgjidhje e pranueshme të përbashkët për të dy palët. Ne t’i hapim negociatat për anëtarësim në korrik të këtij viti”, tha lideri i BDI-së.
Me këtë rast theksoi se maqedonasit nuk duhet të kenë dilema sepse, nënvizoi, ai është bashkëqytetar i tyre dhe është i interesuar të mos ndihet keq. Si përfaqësues i BDI-së, bashkëqytetarët e tij janë të obliguar, siç tha ai, ta ndjejnë mbështetjen e politikës së partisë që ai udhëheq. Theksoi se në takim me Petkovin ka theksuar se të dyja vendet duhet t’i relaksojnë marrëdhëniet dhe të bisedojnë shumë hapur për temat që kërkojnë zgjidhje, por nuk duhet të jemi të preokupuar me emocione, por me racionalitet. U pajtuan që sa më shpejt të fillojë ndërtimi i Korridorit 8, dhe atë rrugor edhe hekurudhor, sepse ai lidh qytetet nga Burgasi përmes Shkupit në Tiranë dhe i afron ato, për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin në disa fusha – ekonomi, investime, kulturë.
Në pyetje të gazetarëve nëse kanë biseduar edhe për pakicën maqedonase në Bullgari, Ahmeti u përgjigj se nuk ka folur për reciprocitet sepse siç tha “jemi në situatë në të cilën duhet me kujdes të menaxhojmë sepse është interes strategjik i vendit tonë që të kemi siguri dhe stabilitet funksional”. “Ato janë çështje të cilat i takojnë Kushtetutës së Bullgarisë dhe unë nuk kam njohje të mjaftueshme për të hapur tema të tilla” shtoi lideri i BDI-së.