Stefan Bogoev, Fatmir Bytyqi, Bisera Kostadinovska Stojçevska dhe Pero Kostadinov janë nënkryetarët e rinj të LSDM-së, të zgjedhur në seancën e Bordit qendror të partisë. Për sekretar të përgjithshëm të partisë është zgjedhur Mile Zeçeviq.
“Gjatë zgjedhjes së nënkrytearëve të rinj, jam udhëhequr nga fakti se në ekip ka njerëz me përvojë, të njohur me angazhimin e tyre në LSDM, por edhe të rinj të cilët në këtë periudhë kanë përfituar autoritet dhe përvojë për kryerjen e detyrave të tilla”, tha në konferencën e mbrëmshme për shtyp, lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Për sekretar organizativ është zgjedhur Vangel Andreski, ndërsa për sekretar për politikë ndërkombëtare, Bojan Mariçiq. Zëvendës kryetarja e LSDM-së Sanja Llukarevska do ta vazhdojë mandatin e marrë në Kongres. Në Bordin ekzekutiv të LSDM-së janë: Ana Daneva-Markova, Mishko Ralev, Nina Fiti-Nedelkovska, Snezhana Zaharieva, Daniella Koleva, Milena Stefanoviq, Kostadin Kostadinov, Renata Jajovska, Melisa Cenovska, Petre Shilegov, Dritan Ismaili, Tanja Tomiq, Darko Kaevski, Andrej Petrov, Ivona Kuzmanoviq, Kostadin Acevski dhe Nikolla Rilak.
Ai paralajmëroi formimin e trupit këshilldhënës, Këshill për krijimin dhe implementimin e politikave, që t’i mbikëqyrë projektet e partisë, kryetari i të cilit duhet të jetë Igor Ivanovski. Kovaçevski në konferencë për shtyp paralajmëroi se qeveria e re do të votohet nga mesi i janarit, më së voni deri 18 janar të vitit 2022. Ai tha se qeveria e re do të orientohet në ekonomi, mbrojtjen e shëndetit…
Kovaçevski ka shprehur falënderim për punën e deritanishme të të gjithëve të cilët kanë qenë pjesë e partisë dhe ka shfaqur shpresë se ata do të jenë pjesë e saj edhe në të ardhmen. “Detyra e parë të cilën e ka udhëheqësia e re është të formojë qeveri të re dhe fuqimisht të përkushtohemi në zbatimin e programeve dhe politikave qeveritare. Unë jam optimist se qeverinë e re të përbërë nga LSDM-ja do ta zgjedhim nga mesi i muajit të ardhshëm, deri më 18 janar. Para qeverisë së re i kemi menaxhimin me krizën energjetike, krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia, si dhe vazhdimin e procesit eurointegrues dhe negociatat me Bullgarinë fqinje. Besoj se mundemi të gjitha këto sfida t’i tejkalojmë me qeveri stabile me mandat deri vitin 2024”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, fokus i fuqishëm do të vendoset në ekonomi, në realizimin efikas të programit dhe të investimeve kapitale, si dhe vazhdimin dhe rritjen e përkrahjes financiare për të gjithë qytetarët dhe kompanitë. “LSDM-ja do të ndryshohet dhe avancohet në çdo segment nga puna dhe veprimi saj. Këtë do ta arrijmë përmes krijimit të sistemit efikas, i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, inkluziv për tërë anëtarësinë dhe për secilin që dëshiron të ndihmojë dhe përkrah përparim të vendit tonë. LSDM-ja do të riorganizohet, do të vazhdojë të demokratizohet dhe të krijojë dhe përkrahë kuadro të reja. Të mbështetet dhe dëgjojë njerëz të cilët i karakterizojnë dituria, ndershmëria dhe përkushtimi ndaj vlerave socialdemokrate”, tha ai.
Ai paralajmëroi edhe aktivizimin e sistemit qendror të komisioneve të LSDM-së, të cilat sipas tij, janë mekanizëm serioz për hapjen e partisë ndaj profesionistëve në sfera dhe segmente të ndryshme të shoqërisë dhe për angazhimin e tyre profesional. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai theksoi se shumica parlamentare është stabile dhe se në periudhën e ardhshme mund vetëm të rritet.
“Në Kuvend kemi shumicë stabile, që u pa edhe përmes votimit të Buxhetit. Kemi biseda përfundimtare me të gjithë partnerët e koalicionit. Në fazë të përgatitjes është edhe programi qeveritar dhe në afatin ligjor, pasi ta marrim mandatin, do të propozojmë qeveri”, tha lideri i LSDM-së.