Maqedonia e Veriut i bashkohet grupit luftarak të BE-së HELBROC, i cili është nën kontroll të drejtpërdrejt të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe është pjesë e politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së Unionit. Në grupin luftarak HELBROC, i cili udhëhiqet nga Greqia, me forcat e veta të armatosura marrin pjesë edhe Bullgaria, Rumania, Qiproja, Serbia dhe Ukraina, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.
Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut në HELBROC do të marrë pjesë me një tog të lehtë këmbësorie deri në 43 persona në përbërje të njësisë së parë ajrore mobile (Airmobile), zëvendëskomandant i njësisë dhe nënoficer për operacione në shtabin e HELBROC. Duke e kumtuar këtë lajm të rëndësishëm para ushtarëve të pranuar profesionistë në kazermën në Veles, ministrja Radmilla Shekerinska tha se pjesëmarrja në HELBROC e thekson kontributin e Armatës për procesin eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Armata dhe mbrojtja nuk janë të rëndësishme vetëm për anëtarësimin tonë në NATO, por edhe për anëtarësimin në BE, që është edhe prioriteti ynë strategjik. Qeveria dje konfirmoi se Maqedonia e Veriut do t’i bashkohet grupit luftarak HELBROC. Me këtë tregojmë se ambiciet tona nuk përfunduan me anëtarësimin në NATO, por u shtuan dhe do të jemi një argument plus për anëtarësimin tonë në BE”, tha ministrja.