Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi- Zejd në profilin e tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se tërhiqet nga detyra e koordinatorit të grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët/Alternativës dhe se për këtë nesër do ta informojë kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Bazuar në zhvillimet e reja politike dhe vendimin e Kuvendit Qendror të Alternativës që ne si subjekt politik t’i bashkohemi pushtetit ekzekutiv dhe shumicës parlamentare, unë nesër do ta informoj zyrtarisht kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut se dorëhiqem nga posti koordinator i grupit parlamentar ASH/AAA”, ka shkruar Rexhepi. Veprimi jonë si deputetë të Alternativës, shton ai, do të vendoset konform marrëveshjes së re për shumicë parlamentare.
“P.S. Respekte për të gjithë deputetët e koalicionit dhe ju jam mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm dhe raportet e mira ndër njerëzore”, ka shkruar mes tjerash deputeti Rexhepi.