Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon sot pasdite në orën 16:00. Deri atëherë, pritet që Jovan Despotovski të bëjë të ditur nëse do të jetë kandidati i katërt për kryetar partie, ndërsa mundësi për hyrje në garën zgjedhore ka paralajmëruar edhe Mile Zeçeviq, transmeton Portalb.mk.
“Po e mendoj seriozisht. Unë jam anëtar i partisë prej 25 vitesh dhe kam kaluar nivele të ndryshme që nga më i ulëti deri tek ai më i lartë i partisë. Mendoj se kam rezultate reale në angazhimin tim profesional ndaj mendoj se mund të ofroj koncept të ri rreth të cilit do të bashkohet jo vetëm partia por edhe shoqëria. Vendimi nuk është i lehtë. Sfida është e madhe, koha është mjaft e ndërlikuar dhe përgjegjësia është e madhe. Vendimin do ta shpall nesër, pasi ditën e sotme dua ta shfrytëzoj për t’u konsultuar në mënyrë shtesë me të afërmit e mi dhe familjen time pasi edhe ata i përfshij në gjithë këtë histori”, tha dje Despotovski.
Sipas tij, është mirë që ka më shumë kandidatura pasi sipas tij, kjo tregon kapacitetin demokratik të partisë, por tregon edhe se ka njerëz që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të përballen me sfidat në kohë të ndërlikuar.
“Mu më vjen mirë që ka më shumë kandidatë për postin drejtues në parti, por nuk mendoj se duhet të diskutohet se kush duhet të jetë, por për atë se çfarë njeriu duhet të jetë dhe si dhe si t’i dalë në ndihmë njerëzve dhe jo partisë”, thekson Despotovski.
Kovaçevski dhe Remenski kandidaturat për kryetar të LSDM-së i dorëzuan të mërkurën, ndërsa Aleksovski dje.
Kovaçevski dorëzoi edhe programin “Së bashku, me përgjegjësi dhe përkushtim”, pas së cilës në profilin e tij në Facebook shkroi se “në një kohë sfidash me të cilat përballet shoqëria maqedonase, është e përgjegjshme të hedhim hapin, të veprojmë”.
“Ta bëjmë LSDM-në efikase, të organizuar dhe të përkushtuar në zgjidhjen e problemeve. Së bashku, me përgjegjësi dhe përkushtim. Qytetarët kërkojnë punë, zgjidhje dhe shumë përgjegjësi. Duhet të nxjerrim mësime dhe të bëjmë ndryshime serioze për të rikthyer besimin, për të bashkuar anëtarësinë dhe për t’u rikthyer shpejt në rrugën e duhur. Për ta arritur këtë ne duhet të vendosim njerëz profesionistë dhe të përkushtuar në të gjitha pozicionet, të cilët do të sjellin ndryshime reale dhe do të punojnë me përgjegjësi. Besoj se vetëm kështu do të kthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet, por edhe ne si shtet mundemi dhe kemi sukses vetë. Prioriteti im do të jetë politika e brendshme, funksionimi dhe zbatimi efikas si dhe përmirësimi i standardit ekonomik të qytetarëve”, tha Kovaçevski.
Remenski, nga ana tjetër, pret një garë mendjesh dhe idesh.
“Më vjen mirë që kjo kandidaturë e parë futi energji të fortë dhe vendimtare femërore në ditët e aktivizmit të grave kur të gjithë luftojmë kundër çdo lloj dhune, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj grave në përgjithësi, madje edhe në politikë. Do të tregoj se LSDM-ja mund të fitojë me energjinë e grave dhe se politika nuk është vetëm punë e mashkullit. Është më shumë se arti i menaxhimit të qëndrimeve dhe ideve të guximshme në të cilat gratë janë mjeshtra dhe pioniere të vërteta. “Pres një garë mendjesh dhe idesh me një synim që duhet t’i kapërcejë kufijtë tanë partiakë dhe do të thotë përpjekje për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve – bashkim dhe liri mes të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia partiake, etnike, fetare dhe çdo përkatësie tjetër”, ka shkruar Remenski në profilin e saj në Facebook, duke sqaruar kandidaturën.
Aleksovski është anëtar dhe aktivist i LSDM-së nga Organizata komunale e partisë nga Kumanova, dhe siç njoftoi LSDM, pas analizimit të dokumentacionit të dorëzuar dhe konstatimit nëse aplikacioni i Aleksovskit është në përputhje me Rregulloren dhe nëse i plotëson kushtet e parapara, Komisioni qendror zgjedhor do të njoftojë nëse e ka verifikuar.
Sipas Statutit, LSDM-ja e zgjedh kryetarin e partisë në zgjedhje të drejtpërdrejta, të jashtëzakonshme brendapartiake. Me vendim të Komitetit ekzekutiv të datës 26 nëntor 2021, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur dhe do të mbahen më 12 dhjetor 2021 (e diel). Procedura për kandidim ka nisur më 27 nëntor 2021 dhe zgjat shtatë ditë, deri sot. Të drejtë kandidimi kanë të gjithë anëtarët e LSDM-së që i plotësojnë kriteret në përputhje me Statutin e LSDM-së. Për kryetar të LSDM-së mund të kandidojë personi i cili ka së paku pesë vjet anëtarësim në parti dhe i cili është zgjedhur nga Kongresi të paktën një herë anëtar i njërës prej organeve të partisë.
Zgjedhjet në nivel lokal do t’i zbatojnë 80 komisione komunale zgjedhore dhe borde e vendvotimeve.