Në Klubin e deputetëve në Shkup për sot në ora 14:00 është caktuar takim i ri i kryeministrit Zoran Zaev me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi për inkuadrimin e partisë në Qeveri dhe në shumicën parlamentare.
Takimi u konfirmua si nga Qeveria ashtu edhe nga Alternativa.
“Sot do të ketë takim në ora 14 në Klubin e deputetëve, në të njëjtin format si herën e kaluar. Edhe kësaj radhe nuk janë planifikuar deklarata për media, ndërsa për konkluzionet nga takimi do të njoftojmë përmes një komunikate”, thonë nga Qeveria.
Më herët, kryeministri Zaev dhe Gashi kishin takim të hënën, kur, sipas kumtesës të shërbimit për shtyp të dërguar nga Shërbimi për informim i Qeverisë pas përfundimit të saj, është rënë dakord në parim për pjesën programore të bashkëpunimit të mundshëm të ardhshëm të Alternativës në Qeveri dhe se konsultimet për vendimet kadrovike janë duke rrjedhur. Atëherë u paralajmërua se pas konsultimeve në parti do të pasojë edhe një takim i ri pune me ekipet.
Në takimin e së hënës, kryeministri Zaev ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski ndërsa lideri i Alternativës Gashi nga sekretari i përgjithshëm i partisë Bekim Sali. Ky ishte takimi i tyre i dytë, pasi në datën 19 të këtij muaji diskutuan për kushtet dhe rolin e Alternativës në shumicën e re parlamentare, ndërsa vendimin përfundimtar duhet ta sjellin organet partiake.
Kryesia qendrore e Alternativës të premten e autorizoi Gashin të fillojë bisedime me të gjithë aktorët politik, me kryeministrin dhe me mandatarin e ri të mundshëm, për të parë se cili është koncepti i tyre për dalje nga kriza politike, përderisa në mbledhjen e Këshillit qendror të LSDM-së, që u mbajt gjithashtu të premten, u konstatua dorëheqja e Zaevit nga pozita e liderit të partisë, por i ishte dhënë legjitimiteti për t’i zhvilluar negociatat për shumicën parlamentare.