Të gjeturat e para nga kontrolli i brendshëm tregojnë se me datë 18.11.2021, nga ana e doganierëve nuk është evidentuar në mënyrë elektronike dalja e autobusit me targa SK0284BA të transportuesit BESA Trans nga Shkupi, është kryer vetëm evidentim i listës për transport të udhëtarëve, kumtoi mbrëmë Drejtoria doganore.
Lidhur me parregullsitë e deritanishme të konfirmuara në veprimin, ata bëjnë të ditur se për dy doganierë që kanë qenë në shërbim në momentin e daljes së mjetit nga vendi do të merren masa pezullimi nga vendi i punës, ndërsa për drejtuesin e tyre do të vijojë masë sanksionimi.
Në aksidentin e autobusit të “Besa Trans” që u dogj në autostradën “Struma” në Bullgari kanë humbur jetën 45 pasagjerë të Maqedonisë, ndërsa shtatë janë lënduar. Sektori për përgjegjësi profesionale i Drejtorisë doganore që nga mëngjesi i VK “Deve Bair” ka kryer kontroll të detajuar të veprimeve të transportuesit dhe doganierëve, në pajtim me kompetencat e parapara me Ligjin për transport rrugor në ditën e e daljes nga vendi të autobusit.
“Lidhur me informatat e paraqitura në opinion lidhur me kompetencat e Drejtorisë doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për kontrollin e hyrje-daljeve të automjeteve dhe transportuesve që kryejnë transport ndërkombëtar të lirë të udhëtarëve, si dhe për veprimet në rastin konkret, ju informojmë: Në bazë të nenit 49 të Ligjit për transportin rrugor, me rastin e kryerjes së transportit të lirë të udhëtarëve në komunikacionin rrugor ndërkombëtar, në varësi të llojit të transportit, transportuesi duhet të ketë: certifikatën e lejes, urdhërin e udhëtimit në origjinal, fletën evidente për transportimin e udhëtarëve, marrëveshjen e lidhur ndërmjet transportuesit dhe ofruesit të shërbimeve dhe formularin e udhëtimit të plotësuar siç duhet dhe saktë në formularin e përcaktuar, të nënshkruar dhe të vërtetuar nga transportuesi dhe të vërtetuar nga shërbimet kompetente doganore, thuhet në deklaratën e Drejtorisë doganore.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, më herët ka njoftuar se kompanisë “Besa Trans BTB” i ndalohet kryerja e veprimtarisë. Për autobusin e “Besa Trans” në të cilin 45 shtetas të Maqedonisë e humbën jetën, ndërsa shtatë u lënduan në aksidentin e trafikut në autostradën “Struma” në Bullgari, nuk ka çertifikatë për licencë për kryerjen e transportit ndërkombëtar të lirë për pasagjerë, e as për lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve.
Automjeti nuk është i regjistruar në regjistrat elektronik të licencave të lëshuara, për çka kompanisë “Besa Trans BTB” i është hequr licenca, përkatësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë, njoftoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.