Të paktën 46 persona kanë vdekur pasi një autobus është aksidentuar dhe është djegur në Bullgarinë perëndimore, në autostradën “Struma” njofton agjencia bullgare BGNES. Autobusi mban targat e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.
Incidenti ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate pranë fshatit Bosnek, në jug-perëndim të kryeqytetit të Sofjes. Sipas BGNES, autobusi është i kompanisë “Besa Trans” e regjistruar në fshatin Rashçe, komuna e Sarajit. Portalbi ka kontaktuar këtë kompani, por ende nuk ka përgjigje.
“Fëmijët janë në mesin e viktimave”, tha zyrtari i ministrisë Nikolai Nikolov për televizionin BTV.
Mes të vdekurve ka 12 të mitur, mes tyre dy binjakë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi.
Shkaku i përplasjes së busit dhe zjarrit në të po hetohet. Mediat lokale thonë se mund të ketë goditur ndonjë parmak apo shtyllë mbrojtëse në rrugë.
Raportohet se shtatë persona u dërguan në spital me djegie, 2 gra dhe 5 burra, kanë shpëtuar dhe janë vendosur në spitalin “Pirogov”.
Dy janë me djegie në duar, të tjerët me plagë. Kështu tha prof. Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në Pirogov, për viktimat e aksidentit me autobusin nga Maqedonia. Viktima e shtatë kishte frakturë në kofshë dhe ishte vendosur në Traumatologji.
Njerëzit janë në traumë të rëndë, kanë humbur të afërmit, fëmijët. Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet, shtoi Argirova. Ata janë sjellë në spital pas orës 3.
Autobusi ka shkatërruar rreth 50 metra të gardhit mbrojtës, u tha gazetarëve kryetari i Pernikut, Stanislav Vladimirov.
Kreu i Maqedonisë në Bullgari
Kryeministrit Zoran Zaev, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe i shëndetësisë, Venko Filipçe janë në Bullgari.
Sipas ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, udhëtarët po ktheheshin në Shkup nga një udhëtimi i fundjavës në qytetin turk të Stambollit.
Ai tha se agjencia turistike që i ka bartur udhëtarët është nga Shkupi. Sipas tij “janë turistë që e kanë shfrytëzuar fundjavën e zgjatur shkaku i festës së Ditës së alfabetit”.
Pas mbërritjes në vendngjarje, ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin “të djegura plotësisht”, raporton BTV.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tashmë ka kontaktuar homologun e tij bullgar për të diskutuar incidentin. Ai ka vizituar të mbijetuarit.
“Jam para spitalit në Sofje, u nisëm menjëherë me ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtëm Osmani. Ne duam të shohim së pari të mbijetuarit, tashmë kam kontaktuar me njërin prej tyre. Ai na shpjegoi se ka parë një tragjedi të tmerrshme në të cilën ata dëgjuan vetëm një shpërthim të madh në gjumë, disa arritën të thyejnë dritaret dhe të ikin, fatkeqësisht të tjerët nuk ia dolën”, tha Zaev në një deklaratë për Utrinski Brifing.