Qytetarët të jenë të qetë sepse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ngadhënjyen forcat progresive euro-atlantike, miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
Ngadhënjeu vullneti absolut i qytetarëve të këtij vendi për një Maqedoni të reformuar, të integruar, në miqësi me fqinjët, në miqësi midis popujve që jetojnë këtu brenda vendit dhe me perspektivë të pastër, të qartë dhe të padyshimtë euro-atlantike”, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi. Porositi se me këtë shumicë parlamentare integrim i vendit në BE mbetet i garantuar.
I pyetur nëse “Alternativa” është partneri i ri, Grubi tha se janë të mirëseardhur të gjithë që dëshirojnë që vendi të integrohet në BE, të ketë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, paqe dhe stabilitet.
“Të gjithë ata që mbështesin integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, që mbështesin Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe Marrëveshjen e Prespës janë të mirëseardhur në këtë shumicë parlamentare dhe do ta shihni – vetëm do të rritet. Do të kemi dy e gjysmë-tre vite të mira përpara nesh për t’i përmbushur të gjitha programet që i kemi premtuar në zgjedhjet parlamentare”, tha Grubi. Për deputetin Kastriot Rexhepi, Grubi tha se e njeh prej shumë vitesh dhe se e di se cilat janë bindjet e tija personale.
“Ai është një atlantist i denjë që beson në Uashingtonin, beson në BE-në dhe me vlerat që ushqen, në fakt e dëshmoi në vepër me atë që nuk votoi bashkë me kinse një shumicë parlamentare që është anti-NATO, anti-BE, anti Marrëveshjes së Ohrit, anti Marrëveshjes së Prespës, anti Marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, anti Republikës së Maqedonisë së Veriut të integruar. Jam i bindur se Kastriot Rexhepi është mirë bashkë me familjen e tij dhe i lumtur, sepse sonte fitoi Maqedoninë euroatlantike”, tha Grubi.