Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe gjashtë pjesëtarë të ish-njësitit “Alfa”, të akuzuar në lëndën “Tortura” që ka të bëjë me mënyrën në të cilën ishte arrestuar lideri i të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkoski, sot janë liruar nga akuza.
Këshilli gjyqësor i kryesuar nga gjykatësja Aleksandra Ristovska i liroi nga aktakuza Sasho Mijallkovin, Ivica Ançevskin, Petar Milloshevskin, Novica Stankovskin, Filip Atanasovin, Jovan Bocevskin dhe Metush Shabanin me elaborimin se Prokuroria Publike nuk ka dëshmuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.
Rasti i arrestimit të Lube Boshkovskit ishte kthyer në fazë të plotësimit të procedurës dëshmuese, pasi gjykatësja Aleksandra Ristovska, e cila e udhëheqë gjykimin për lëndën “Tortura” më 17 qershor të këtij viti, nuk e publikoi aktgjykimin e paralajmëruar për këtë rast.
Në procedurën dëshmuese Prokuroria pohoi se gjatë arrestimit të Boshkoskit ka pasur torturë dhe kjo ka qenë “revanshizëm”. Ai nuk ka dhënë rezistencë, ndërsa është përdorur forcë policore, është shtrirë në tokë në afërsi të një tualeti mobil tek restoranti “Vodenica” në Shkup, është kthyer për ta incizuar kamerat televizive me qëllim që publikisht ta nënçmojnë, ndërsa e gjithë kjo ka shkaktuar vuajtje psikologjike.