Me ftesë të Fondacionit Andreas Papandreu në bashkëpunim me rajonin e Atikës dhe qytetit Athina, prej sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov merr pjesë në simpoziumin ndërkombëtar Simi i cili për të 23-ën herë po mbahet në Greqi.
Siç njoftoi SÇE, në panelin e parë në të cilin mori pjesë Dimitrovi, të titulluar “Çka është e ardhmja e Evropës pa Ballkanin?” zëvendëskryeministri Dimitrov foli për sfidat aktuale në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe ndikimin ndaj politikës së zgjerimit dhe besimit të Bashkimit Evropian.
“Rasti drastik i Maqedonisë së Veriut ngriti shqetësim serioz për ndikimin dhe besimin e BE-së në rajon e ardhmja e të cilit natyralisht është që të jetë evropian – në kuptim të rrumbullakimit të procesit të bashkimit evropian. U ngjitëm në mal në rrugën tonë, duke e tejkaluar problemin me Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës. Por, ajo marrëveshje ishte e mundshme vetëm sepse Greqia e pranoi të drejtën tonë të vetëvendosjes. Çështja për atë se kush jemi dhe çfarë gjuhe flasim është e jona dhe në shekullin 21 nuk është vetëm joevropiane por është edhe pahijshme një tjetër ta bëjë këtë. A mundet një vend anëtar, vetëm pse është anëtar, ka të drejtë të vendosë çfarëdo lloj kushtesh të një vendi kandidat për hyrje? Për shembull, të kërkojë të mos ketë liri të mediave? Pikërisht kjo po ndodh. Domethënë ato kushte duhet të jenë në linjë me vlerat evropiane, sepse, më quani idealist, por për mua, që nga ditët studentore, Evropa nuk është vetëm gjigant ekonomik, por përmbledhje e idealeve dhe vlerave dhe përgjatë atyre vlerave duhet të çmohet progresi ynë”, tha Dimitrovi.
Sa i përket tentimeve për tejkalimin e pengesave për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Dimitrovi theksoi se kjo çështje është relevante si për të ardhmen e vendit tonë, ashtu edhe për të ardhmen e Evropës.
“Tejkalimi i bllokadës nga ana bullgare është çështje e cila peshon shumë më shumë dhe shkon më larg nga marrëdhëniet Shkup –Sofje. Treshja e presidencës momentalisht e kryesuar nga Sllovenia bëjnë përpjekje serioze për gjetjen e zgjidhjes, sepse investimi është i madh edhe në anën e BE-së. Njëherësh, kjo çështje i minon edhe relacionet ndërmjet qytetarëve për çka ndikon edhe ndaj perspektivave për ruajtjen e stabilitetit”, tha Dimitrovi.
Dimitrovi theksoi se politika e vetos krijon antagonizëm, dhe siç tha, në anketat e fundit qytetarët tanë shohin kërcënimin më të madh pikërisht nga Bullgaria. “Për këtë shpresoj se me qeverinë e ardhshme bullgare do të mund të arrijmë mirëkuptim për fitoren e përbashkët, edhe për ne edhe për ata edhe për rajonin dhe për gjithë Evropën. Njëkohësisht, ne mbetemi të përkushtuar në evropianizimin – zbatimin e reformave për vendosjen e standardeve evropiane në vend, sepse ky është edhe thelbi i procesit të anëtarësimit”, theksoi ai.
Fokusi i simpoziumit, i cili i bashkon politikanët, diplomatët, shkencëtarët, biznesmenët dhe aktivistët e shquar botërorë, është vendosur në bashkëpunimin sa i përket sfidave globale pas pandemisë me qëllim të nxitjes së ideve për krijimin e strategjive nacionale dhe ndërkombëtare dhe politikave në lidhje me çështjet socio-ekonomike, ndikimin ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë, mbrojtjes shëndetësore dhe tema të tjera relevante.
Në këtë panel morën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendësdrejtoresha e ECFR Vesela Çerneva, drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Mediave, Remzi Lani, bashkëpunëtori shkencor në Institutin vjenez për Shkenca Humane, Ivan Vejvoda dhe analistja gjeopolitike, Antonia Kolibasanu.