Mbështetja e pakursyer që Bashkimi Evropian i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në proceset e zhvillimit dhe integrimit, përkushtimi i Qeverisë së vendit në avancimin e mëtutjeshëm të proceseve reformuese, të politikave të dialogut dhe qëllimeve strategjike të shtetit, ishin pjesë e diskutimit gjatë takimit të zëvendëskryeministrit të parë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi me ambasadorin evropian të vendit, Dejvid Gir.
Grubi i ka shprehur ambasadorit Gir vendosmërinë e vendit në rrugën e integrimit si dhe rëndësinë e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian në tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe i ka shprehur mirënjohje për angazhimin e deritanishëm në drejtim të gjetjes së zgjidhjes që do të ishte në interes të të dyja palëve, qëndron në kumtesën e Kabinetit të Grubit.
Grubi theksoi që nuk ka aspak vend për euroskepticizëm tek elitat politike e as edhe te qytetarët sepse të gjitha të arriturat tona janë të përbashkëta dhe ashtu do të vijojmë.
Grubi njoftoi ambasadorin Gir edhe për agjendën e gjelbër, si përcaktim strategjik i vendit për jetë më cilësore pas rrumbullakimit normativ të të gjitha çështjeve të definuara politike në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe atë Prespës, e të cilat kanë vendosur themelet e barazisë, demokracisë dhe zhvillimit të barabartë ekonomik.
Të dy bashkëbiseduesit në fund të këtij takimi u dakorduan se duhet të bëhen përpjekje maksimale për të arritur synimin e vetëm dhe të paluhatur të Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian
Në takim, siç njoftoi Kabineti i Grubit, kanë biseduar edhe për festimin me rastin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit dhe për regjistrimin e popullsisë. Gjatë kësaj, Gir nga ana e tij, ndërsa edhe në emër të Bashkimit Evropian e konfirmoi pjesëmarrjen në shënimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.