Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Energjisë së Greqisë, Kostas Srekas në Athinë do ta nënshkruajnë marrëveshjen për zhvillimin e interkoneksionit për gazin natyror në mes dy vendeve, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Nënshkrimi është planifikuar për sot dhe Bekteshi është pjesë e delegacionit të vendit tonë, i kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev, i cili merr pjesë në konferencën dyditore të “Ekonomist”.
Në konferencën e djeshme të rregullt për shtyp, zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni, duke iu përgjigjur pyetjes nga korrespondentja e MIA-s në Athinë, tha se takim midis kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është planifikuar në margjina të konferencës “Ekonomist”. Në lidhje me nënshkrimin, përsëriti se Athina mbështet zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal gjithashtu përmes marrëveshjeve bilaterale.
Si pjesë e “tryezës së 25-të të rrumbullakët me qeverinë greke”, e cila këtë vit ka temën: “Nga distancimi social te solidariteti social”, Kryeministri Zaev, sot në mëngjes së bashku me homologët e tij nga Shqipëria dhe Kosova Edi Rama dhe Albin Kurti , do të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit në Evropën Juglindore, zgjerimin e BE-së, tregtinë dhe investimet dhe paqen dhe iniciativat për mirëkuptim më të mirë.
Në panel diskutimin së bashku me Zaevin, Kurtin dhe Ramën (i cili do të kyçet onlajn), do të marrin pjesë edhe ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar – Kitaroviq, kryetarja e rrjetit “Diktio” dhe ish-komisare evropiane Ana Dijamantopulu, deputeti i SYRIZA-s dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme Jorgos Katrugalos, si edhe ish-kryetari i Komitetit nacional republikan Rajns Pribes.
Në Forumin ekonomik në Athinë, të pranishëm janë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe Koordinim të Resorëve Ekonomisë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi, so edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga shërbimi për shtyp i Qeverisë kumtojnë se takimet që do të realizohen në fokus e kanë ekonominë dhe energjetikën dhe shtojnë se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës është duke u përforcuar dhe intensifikuar.