Ambasadorët e BE-së dje u pajtuan që të hiqen restriksionet për udhëtimet për shtetasit e disa vendeve, në mesin e të cilave edhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Vendimi duhet të publikohet formalisht në Gazetën Zyrtare të BE-së me të cilën do të hyjë në fuqi, sipas gjasave të premten, informoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se vendimi i Bashkimit Evropian për lehtësim të udhëtimeve të shtetasve tanë vjen pas stabilizimit të gjendjes me virusin në shtet. Por, ai paralajmëroi se pandemia ende nuk ka përfunduar dhe se duhet t’u përmbahemi masave për mbrojtje.
“Bashkimi Evropian vendosi t’i lehtësojë kufizimet për udhëtim të shtetasve tanë, dhe u dakorduan të gjithë 27 anëtaret e bllokut. Ky vendim i BE-së vjen pas stabilizimit të gjendjes me virusin në shtet. Vazhdojmë ta ndjekim me vigjilencë gjendjen epidemiologjike në vend. U bëj thirrje qytetarëve se akoma vlejnë masat themelore për mbrojtje nga virusi Kovid-19. Pandemia nuk ka përfunduar tek ne, në vendet e rajonit, e madje edhe çdokund në botë, ende ka raste aktive dhe raste të reja, që në njëfarë mënyre është kërcënim potencial për goditje të mundshme nga virusi, prandaj duhet t’u përmbahemi masave për mbrojtje”, shkroi ministri Filipçe në “Fejsbuk”.
Dje agjencia gjermane DPA publikoi se Bashkimi Evropian duhet gradualisht t’i lehtësojë kufizimet për Kovid-19 për hyrje të udhëtarëve nga SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera sipas marrëveshjes së të mërkurës mes 27 vendeve anëtare.
“Udhëtarët nga SHBA-ja, Shqipëria, Hong-Kongu, Libani, Makao, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Tajvani duhet më lehtë të hyjnë në Union”, deklaruan nga kryesimi portugez me BE-në për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Personat të cilët dëshirojnë të udhëtojnë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht me vaksinë të miratuar nga ana e BE-së ose e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nëse nuk janë vaksinuar, duhet të tregojnë test negativ PCR.
Dje në shtet përsëri nuk kishte të vdekur nga Kovid-19. Ishin regjistruar 15 të sapoinfektuar nga 2,802 testet e bëra.
Nga 15 rastet e reja, pesë janë në Kërçovë, Shkup 4, Tetovë 3, Prilep, Ohër dhe Dellçevë nga 1.
Janë regjistruar edhe 14 pacientë të shëruar: nga Shkupi 11, Kumanova, Gostivari dhe Kërçova nga 1.
Deri më tani janë bërë gjithsej 841,125 testime për Kovid-19.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 155,583, numri i pacientëve të shëruar është 149,690, i të vdekurve 5,472, ndërsa numri i rasteve aktive është 421. Sipas analizave epidemiologjike për momentin, në Shkup ka 167 raste aktive, Kumanovë – 49, Kërçovë – 34, Prilep – 32, Tetovë – 32, Ohër – 22, Manastir – 16, Gostivar – 13. Në nëntë qytete nuk ka Kovid-19, në Vallandovë, Krushevë, Makedonski Brod dhe Makedonska Kamenica vetëm nga një rast aktiv.
Nga Ministria e Shëndetësisë, dje informuan se vaksinimi po vijon pandërprerje në të gjitha pikat në të gjithë vendin. Pardje ishin dhënë 5,611 vaksina. Në ueb-platformën vakcinacija.mk, deri më tani janë regjistruar për vaksinim 452,093 qytetarë.
Gjithsej 263,083 qytetarë u vaksinuan në pikat e vaksinimit në vend deri pardje. Doza e parë e vaksinës dje u mor nga 3,606 qytetarë, si dhe u vaksinuan gjithsej 5,611 qytetarë. Gjithsej 458,131 doza të vaksinave janë aplikuar në vend, ndërsa 195,048 qytetarë janë rivaksinuar.
“Sipas shifrave të fundit, 48 përqind e popullsisë mbi moshën 70 vjeç ka marrë të paktën një dozë vaksine, 42 përqind e popullsisë mbi moshën 65 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë vaksine dhe 36 përqind e popullsisë mbi 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Prej dje ishe hequr tërësisht dhe ora policore. Objektet hotelierike më nuk kanë kufizime në orarin e punës, dasmat do të mund të organizohen me më shumë se 100 mysafirë, ndërsa lejohen ngjarje, koncerte dhe ahengje në klubet dhe lokalet vetëm në vend të hapur, me kapacitet prej maksimum 50 përqind të objektit dhe jo më shumë se 1,000 persona.