Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot do të qëndrojë në Antalia, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL).
Osmani, siç informojnë nga MPJ, në kuadër të takimit ministror, do të ketë takim bilateral të veçantë me homologun, ministrin e jashtëm të Turqisë, Mevlut Çaushoglu, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme në Qeverinë teknike të Bullgarisë, Svetllan Stoev.
Ministrat, në kuadër të këtij formati rajonal, do të diskutojnë në temën: “Fqinjët nga Evropa Juglindore bashkë: E ardhmja e Evropës”. Njëkohësisht, si pjesë e agjendës do të jetë edhe gjetja e mënyrave të reja të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të PBEJL dhe rajonit, ballafaqimi me pasojat e pandemisë, të shkaktuara nga KOVID-19, avancimi i kohezionit rajonal nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe demokracia, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut të lirë dhe respektimi i të drejtave themelore njerëzore si vlera themelore evropiane, që mbeten në fokus të të gjitha vendeve anëtare të PBEJL.