Perspektiva evropian e Ballkanit Perëndimor në prag të Këshillave të qershorit të BE-së, bashkëpunimi rajonal, implementimi i planit aksionar shumëvjeçar në tregun e përbashkët rajonal në sinergjinë me Planin ekonomik dhe investues të KE-së, ishin pyetjet për të cilat u diskutua në mbledhjen ministrore për punë të jashtme në suaza të Procesit berlinas për vitin 2021, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Në takimin, me të cilin kryesonte ministri gjerman i punëve të jashtme Hajko Mas u diskutuan edhe proceset në vijim të përgatitjes së marrëveshjes rajonale për pranim të kualifikimeve akademike dhe profesionale dhe lëvizja e lirë dhe puna në rajon si dhe nisma për zgjerimin e korridoreve të gjelbra me BE-në.
“Kaluam një rrugë të gjatë dhe bashkërisht arritëm rezultate të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit të ndërsjellë për ndërlidhje ekonomike, politike, të sigurisë dhe ndërlidhje sociale. Agjenda e ndërlidhjes, që ishte thelbi i procesit, evoluoi në ndërlidhjen reciproke në një kuptim shumë më të gjerë, përjashto atë infrastrukturore. Përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një proces aderues aktiv dhe dinamik, tërësisht do t’i angazhojë shoqëritë drejt krijimit të vlerave të reja, përparimit dhe konkurrencës pozitive. Bashkëpunimi rajonal bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm – të demonstrohet qenësi dhe lidership i përbashkët politik. Ne jemi ekonomi relativisht të vogla, por bashkërisht jemi më të fortë. Fakti se kemi dallimet tona dhe qëndrime të ndryshme, nuk e përjashton bashkëpunimin më të ngushtë në të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me BE-në”, theksoi Osmani.
Në vazhdim ai iu referua kryesimit të përbashkët në vitin e kaluar me Bullgarinë me Procesin e Berlinit, si një shembull pozitiv të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit bilateral, që kulminoi me Samitin e Sofjes, nga ku dolën një sërë iniciativash dhe u hapën fusha të reja të bashkëpunimit në rajon.
Në takim, Osmani e prezantoi idenë e Maqedonisë së Veriut për shkëmbimin e diplomatëve të rinj në rajon, të orientuar drejt ndërlidhjes dhe forcimit të bashkëpunimit të gjeneratës së ardhshme të diplomatëve në rajon, me qëllim pajtimin e mëtutjeshëm, ndërtimin e mirëbesimit dhe rrënimin e barrierave reciproke. Gjithashtu, ai informoi edhe për iniciativën e kohëve të fundit për fillimin e një platforme joformale të bashkëpunimit politik – Ballkan 6 (B6) në format ministrash, përgjegjës për politika të jashtme, që synon thellimin e bashkëpunimit dhe të lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit në fushat me interes të përbashkët.
“Përvoja tregoi se kur konsultohemi njëri me tjetrin para takimeve të ndryshme, kemi ndikim më të madh mbi çështjet me interes të përbashkët. Shpresoj sinqerisht se mbajtja e takimeve të rregullta dhe koordinimi ndërmjet nesh, do të bëhet rregull, e jo përjashtim”, theksoi Osmani.
Krahas ministrit Osmani, në takim morën pjesë ministrat, pjesëmarrës në proces nga vendet e Ballkanit Perëndimor: nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi dhe nga vendet anëtare të BE-së: Austria, Bullgaria, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia, Franca, Kroacia, si dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa paraqitje pati edhe eurokomisari për zgjerim dhe politika fqinjësore Oliver Varhei.
Kryesimi gjerman vazhdon me përpjekjet për të dhënë rezultate të mëtutjeshme në lidhje me të gjitha iniciativat e filluara në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet të prezantohen në Samitin e Berlinit të caktuar për më 5 korrik të këtij viti, me të cilin do të kryesojë kancelarja gjermane Angela Merkel.