“Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe as nuk mund të jenë subjekt i negociatave. Identiteti ynë dhe gjuha maqedonase janë rezultat i një fakti kulturor dhe shkencor, rezultat i shumë viteve të zhvillimit historik dhe kulturor. Në fakt, procesi i zhvillimit të identitetit dhe gjuhës sonë nuk ndryshon nga zhvillimi i gjuhëve dhe kulturave të kombeve fqinje”, tha presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për “Politikën” e Beogradit në botimin e sotëm.
“Maqedonia e Veriut, në krahasim me fqinjët e saj, e konkretizoi shtetësinë e saj, përmes një procesi kompleks të luftës për çlirimin kombëtar dhe emancipimin dhe ndoshta ai faktor ka një ndikim të madh në disa tendenca negative në një pjesë të opinionit dhe politikanëve në vendet fqinje. Sidoqoftë, shtetësia jonë dhe gjuha jonë standarde janë një proces i plotë dhe ai fakt duhet të pranohet nga të gjithë, si një hap kryesor drejt ndërtimit të bashkëpunimit, duke pasur parasysh që të gjitha vendet fqinje kanë të njëjtën orientim strategjik në Bashkimin Evropian”, thotë Pendarovski.
Në intervistë, siç raportoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, presidenti Pendarovski foli gjithashtu për rrugën e integrimit evropian të vendit, mosmarrëveshjen me Bullgarinë, si dhe ndihmën e marrë nga Serbia në trajtimin e pasojave të pandemisë.
“Ne i jemi gjithashtu mirënjohës Serbisë mike për ndihmën e saj në kohë për trajtimin e pasojave të pandemisë, dhe veçanërisht në procesin e vaksinimit. Serbia bëri gjithçka që ishte në fuqinë e saj për të na ndihmuar dhe ne dimë ta vlerësojmë atë gjest miqësor dhe nuk do ta harrojmë këtë”, tha Pendarovski.
Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe hapjen e qendrave kulturore në Shkup dhe Beograd, Pendarovski tha se të dy vendet nuk kanë çështje të hapura dhe janë përqendruar në përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit. Qeveritë, siç thekson ai, tashmë po shkëmbejnë ide dhe propozime konkrete sepse bashkëpunimi kulturor është një nga mënyrat më të mira për të forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet e përgjithshme midis popujve dhe vendeve tona.
Lidhur me pengesat në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve në rajon, Pendarovski tha se Republika e Maqedonisë së Veriut bëri kompromise të vështira në mënyrë që të bëhet një anëtare e plotë e NATO-s dhe në të ardhmen një anëtare e BE-së.
“Anëtarësimi në BE është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjitha vendeve dhe ne nuk kemi asnjë alternativë reale për integrimin evropian. Sidoqoftë, integrimi i rajonit në BE është gjithashtu një interes strategjik për vetë Bashkimin Evropian, si dhe një çështje gjeopolitike, në kontekstin e përpjekjeve për të forcuar rolin e BE-së si një aktore në rendin ndërkombëtar. BE-ja ka bërë një premtim të qartë për vendet në rajon se ata kanë një perspektivë evropiane që nga Samiti i Selanikut 2003. Bërja e përpjekjeve për të realizuar këtë premtim është gjithashtu një çështje e besueshmërisë së vetë Unionit. Ne shpesh dëgjojmë për lodhjen nga zgjerimi, e cila nga aspekti i politikës ditore është e kuptueshme, por strategjikisht, projekti evropian nuk do të përfundojë pa integrimin e rajonit tonë në BE”, tha Pendarovski.
Ai vlerësoi bisedimet me presidentin bullgar Rumen Radev në Shkup dhe Romë si një sinjal pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe uljen e tensionit që është ndezur në mënyra të ndryshme në periudhën e kaluar.
“Unë besoj se është në interes të të dy vendeve, por edhe të vetë BE-së, të gjendet një mënyrë për të dalë nga situata sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në atë kontekst ne vlerësojmë përpjekjet e Presidencës Portugeze të BE-së. Ne e konsiderojmë propozimin e tyre si një bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve. Të dy vendet kanë aftësinë për të zgjidhur çështjet përmes dialogut. Në fakt, ne e vërtetuam këtë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë në vitin 2017, e cila është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe është baza për ndërtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve dhe afrimin e të dy popujve”, thotë Pendarovski.
Duke iu përgjigjur pyetje nga “Politika” për shpërbërjen e Jugosllavisë, idetë për rishikimin e kufijve dhe rolin e NATO-s, Pendarovski tha se “nuk mund të ecni në rrugën evropiane në të njëjtën kohë, dhe nga ana tjetër të mbështesni idetë anakronike që i përkasin historisë politike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”.
“Shpërbërja e ish-Jugosllavisë është një proces i plotë. Çdo hapje e re e çështjes së kufirit ka potencialin të na kthejë në epokën e luftërave të viteve 1990 dhe të sjellë vuajtje të reja njerëzore dhe pengesa ekonomike. NATO e ka përmbushur premtimin e saj për vendin tim dhe sot RMV-ja është anëtarja e 30-të e plotë e NATO-s, e cila e garanton integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit tim”, thotë Pendarovski.
Ai shton se pozicioni i shqiptarëve etnikë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, nuk është pjesë e një ndonjë çështje rajonale shqiptare, por është pjesë e rendit tonë të brendshëm kushtetues dhe politik.
Lidhur me Kosovën, ai vlerësoi se “angazhimi ynë i vazhdueshëm është të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Kosovën, sepse në atë mënyrë ne përmbushim interesat tona kombëtare, por kontribuojmë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, diçka që është gjithashtu një përparësi e lartë e politikës së jashtme edhe e Serbisë mike. Nga ana tjetër, thotë Pendarovski, unë besoj se lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës është një çështje e brendshme e politikës së Kosovës.