Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani deklaroi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian kalon nëpërmjet Bullgarisë, pa pëlqimin e së cilës nuk mund të fillojnë negociatat inkuadruese, por edhe se Sofja nuk duhet ta lëshojë këtë shans nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm.
“E vërtetë është se rruga e Maqedonisë së Veriut kalon nëpërmjet Sofjes. Vendimi sillet me konsensus. Pa pëlqimin bullgar nuk mund të ketë vendim. Ne mundemi vetëm të ëndërrojmë se ky vendim do të sillet pa pëlqim të Bullgarisë. Kjo nuk mund të ndodhë, dhe për atë bëjmë përpjekje t’i bindim miqtë bullgar se Marrëveshjen, të cilën e ndërtuam, ka bazë të mirë për të ndërtuar raportet tona dhe për tejkalim të dallimeve. Ata kanë nevojë për garanci shtesë se ne nuk do të ikim nga marrëveshja”, tha Osmani duke qenë mysafir në emisionin e mbrëmshëm “Click plus” në TV21.
Shefi i Diplomacisë konsideron se Bullgaria, megjithatë, nuk duhet ta lëshojë shansin e samitit të qershorit të BE-së që t’i lejohet Maqedonisë së Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim, nëse dëshiron Ballkan stabil.
“Kam ndjenjën se rajoni arrin deri në një pikë kritike, kur humbet besimi se do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Në momentin kur do të arrihet kjo pikë, besoni se do të jetë problem, do të hapen shumë tema të cilat janë mbyllur për perspektivën evropiane, që nga viti 2003 kur në Selanik sillet vendim se një ditë Ballkani do të anëtarësohet në BE, kjo u bë lëvizje e shkëlqyer për rajonin. Për atë Bullgaria duhet ta “kapë” këtë shans nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm”, theksoi Osmani.