Për momentin vetëm bisedojmë për reforma eventuale të politikës tatimore dhe nuk kemi propozim konkret nga askush, as nga Qeveria, por megjithatë bëhen analiza sepse duhet të përgatitemi për masat e ardhshme. Konsideroj se ka hapësirë për bisedë të mençur, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Secili propozim është i mirëseardhur nëse shkon në drejtim të përmirësimit të situatave dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, por Qeveria duhet të ketë kujdes të mos i ngarkojë më shumë se që kanë të drejta qytetarët. Rritja e tatimeve është një lloj i rritjes së anës së të ardhurave të Buxhetit, por unë jam një nga ata të cilët që në fillim të krizës dëshmoi se edhe në periudhë të krizës duhet të vazhdojmë të luftojmë me ekonominë gri sepse u dëshmua se pikërisht ekonomia gri ishte një nga faktorët për efektin më të madh negativ nga kriza”, tha Bytyqi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve para promovimit të projektit “Platforma Kombëtare për Sipërmarrësi të Femrave”.
Nëse dëshirojmë që shteti të kujdeset për secilin njësoj, theksoi, duhet të ndërmarrim masa që të gjithë të jemi pjesë e sistemit, ndërsa kjo, siç tha, nënkupton që të paguajmë tatime, por edhe që të presim shteti ku ka nevojë të kujdeset në mënyrë adekuate për ne.
“Do t’i shqyrtojmë propozimet dhe do të shohim se çka nënkuptojnë. Nëse reforma tatimore domethënë vendosje të tatimit progresiv them pse jo. U dëshmua se në krizë disa të pasur u bënë edhe më të pasur dhe për shkak të bindjes ideologjike konsideroj se duhet të kemi tatim progresiv, të pasurit duhet të paguajnë dhe t’u kthejnë më të varfërve. Nëse nënkupton vendosje të tatimit të ri për të varfrit them jo, sepse atyre iu kemi borxh që të dalin nga pragu i varfërisë dhe të fillojnë të jetojnë me dinjitet”, porositi Bytyqi.
Te tatimi i pronës, përkujtoi, ka propozim të mbetemi në përqindjen e njëjtë të tatimit të pronës, por të tatimohet ajo që nuk përdoret dhe hyn në pjesën e luksit, banesë e dytë, e tretë, e katërt.
Shtoi se çfarë do që të ndodhë, do të ndodhë për të paktën gjashtë muaj prej tani nëse arrihet konsensus me të gjithë faktorët që të mund të përshtaten qytetarët dhe ekonomia.
Për vendosjen eventuale të tatimit të mjedisit jetësor theksoi se nuk është diçka që nuk ka ndodhur edhe në të kaluarën.
“Ne kishim një tatim të tillë në vitin 2001 kur e paguanin të gjithë dhe u hoq pas një kohe të caktuar. Në vitin 2020 e pamë se si është që të jetohet me ajër më të mirë dhe më të pastër. Vazhdojmë të investojmë në energjetikë dhe dëshirojmë të jetojmë me standarde skandinave nga aspekti i mjedisit jetësor. Ndoshta, vendosja e tatimit të mjedisit jetësor mund të jetë segment i cili do të na ndihmojë të gjithë neve dhe gjeneratave të ardhshme, por tani vetëm kemi mendime legjitime të të gjithë faktorëve. Disa vijnë si propozime nga ASHAM, disa nga odat ekonomike, por ende jemi në nivelin e konsultimeve dhe si Qeveri nuk kemi ndërtuar qëndrim”, deklaroi Bytyqi.