Të paktën një doze të vaksinës është marrë deri më tani nga 40 përqind e popullsisë në moshën mbi 70 vjet në vend dhe 33 përqind mbi moshën 65 vjet. U aplikuan 207.219 doza, ndërsa 31.599 qytetarë morën rivaksinim. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, përmes onlajn platformës vakcinacija.mk, gati 377 mijë qytetarë kanë shprehur interes për t’u vaksinuar.
Siç informoi dje Ministria e Shëndetësisë, vaksinimi kundër koronavirusit zbatohet sipas Planit Kombëtar për Imunizim. Po vaksinohen persona të moshuar, qytetarë të cilët kanë shprehur interesim për vaksinim në ueb-faqen vakcinacija.mk ndërsa vaksinohen edhe persona të punësuar në infrastrukturën kritike. Vaksinimi masiv po realizohet në disa qytete të shtetit edhe atë në A1 QS Boris Trajkovski në Shkup, në sallat e sporteve në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir dhe Ohër.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski dje e mori dozën e parë të vaksinës kundër Kovid-19 në pikën e vaksinimit në sallën e sportit të shkollës “Pero Nakov” në Kumanovë. Presidenti u vaksinua me vaksinën “Fajzer” e cila është e kapshme për kumanovarët në këtë pikë të vaksinimit. Vaksinat, që janë në dispozicion në shtet janë të sigurta, tha presidenti dhe paralajmëroi se dozën e dytë do ta marrë në ndonjë qytet tjetër të shtetit. Ai sqaroi se termin për vaksinim ka pasur dje, por për shkak të udhëtimit zyrtar kanë vendosur që me kabinetin të vaksinohen në Kumanovë.
“Nuk mundëm dje të shkonim në sallën ‘Boris Trajkovski’, por edhe pa këtë që më parë vendosa bashkë me disa bashkëpunëtorë të mi të afërt, domethënë nuk jam vetë në kabinet, të gjithë jemi nga Shkupi që të vaksinohemi në ndonjë qytet tjetër në Maqedoni, sepse ka edhe spekulime të tilla dhe dezinformata se disa vaksina jepen në Shkup, të tjera vaksina jepen në qytete të tjera, ta shkatërrojmë atë spekulim. Mendoj se është mirë edhe për të tjerët që janë në funksion të veprojnë njësoj”, deklaroi presidenti.
Ai paralajmëroi se më 8 qershor të këtij viti, do ta marrë dozën e dytë në ndonjë komunë të tretë dhe sipas tij kjo është gjë e mirë që t’u dëshmohet qytetarëve se të gjitha vaksinat të cilat vijnë në vend janë të kontrolluara, efikase dhe qytetarët nuk duhet të kenë dyshim. Presidenti u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe më shpejt që të kthehemi në normalitet.
Ai shpreson se deri në fund të muajit të ardhshëm do të imunizohet një përqindje e madhe e popullatës.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse ka biseduar me ministrin e Shëndetësisë se kur do të vaksinohen gazetarët, presidenti Pendarovski tha se ka marrë kërkesë nga shoqatat e gazetarëve që të fillojë imunizimi i punonjësve mediatik edhe nën 40 vjet. Ai theksoi se gazetarët kanë kontakt të vazhdueshëm me njerëz në terren dhe ekziston rrezik i lartë për infektim.
“Mund ta përsëris atë kërkesë dërguar atij, kuptohet mendoj se edhe deri më tani duhej të ishit në grupet e infrastrukturës kritike, ushtrisë, policisë, sepse në praktikë ju jeni në linjën e parë të frontit dhe jeni në rrezik të madh” deklaroi Presidenti.
Vaksinimi masiv në Kumanovë zbatohet me “Sinofarm” në sallën “Pero Nakov”, përderisa po vijon edhe rivaksinimi me “Fajzer” për qytetarët më të moshuar të moshës mbi 70 vjet në Shtëpinë e Shëndetit.
Në repartet infektive në vend mjekohen gjithsej 457 pacientë pozitivë ose të dyshuar për koronavirus, nga të cilët 264 në spitalet nëpër vend dhe 193 në repartet infektive në kryeqytet. Në kovid qendrat ka rreth 680 shtretër të lire, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Për shkak të numrit të ulur të të infektuarve, nga MSH-ja informojnë se spitalet kanë mbyllur një pjesë të kapaciteteve të dedikuara për pacientë me kovid.
Nga MSH informon se të gjitha repartet e spitaleve klinike kanë spitale me qasje në oksigjen dhe se ata kanë njohuri për gjendjen e ambienteve dhe nëse është e nevojshme departamentet do të zgjerohen më tej.
Gjatë ditës së djeshme, në kovid qendrat në Shkup janë hospitalizuar 12 pacientë të rinj për shkak të ndërlikimeve nga koronavirusi, ndërsa gjithsej 193 persona të dyshuar dhe të konfirmuar për Kovid 19 po trajtohen në repartet infektive të kryeqytetit. Shumë pacientë janë në mbështetje të oksigjenit.
Gjatë ditës së djeshme në klinikat interne nuk ka pasur pranime.
Nga MSH informojnë se të gjitha repartet infektive kanë qasje të oksigjenit dhe mund të kujdesen për pacientë të cilët kanë nevojë për oksigjen.