Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, u takua sot me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Greqisë, Rusos Kunduros, me të cilin diskutuan temat aktuale në lidhje me ekonominë, bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe aktivitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin në BE.
Zëvendëskryeministri Bytyqi, siç njofton Kabineti i tij tha se bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është në një nivel tradicionalisht të lartë, me Greqinë që është partneri i katërt tregtar i Maqedonisë së Veriut, dhe se bashkëpunimi ka potencial të zhvillohet edhe më tej, gjë që është në interes të përbashkët për të dy vendet.
Ambasadori Kunduros theksoi synimin e Qeverisë së Greqisë është që të vazhdojë me ndërtimin e marrëdhënieve të forta ekonomike dhe rritjen e bashkëpunimit bilateral, ndërsa konfirmoi qëndrimin se do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
“Si një nga temat kryesore të diskutimit ishte bashkëpunimi në sektorin energjetik, për të cilin zëvendëskryeministri dhe ambasadori ranë dakord se ekziston një potencial me të vërtetë i madh, nëse merren parasysh projektet e përbashkëta për ndërtimin e terminalit të gazit të rrjedhshëm në Aleksandropoli, si dhe lidhje e gazit midis të dy vendeve, me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut do të fitojë një burim të ri të furnizimit më ekologjik dhe më të lirë të energjisë, e me këtë edhe mundësinë për t’u bërë qendër rajonale për transit të mëtejshëm dhe shpërndarjen e gazit në vendet e rajonit”, theksohet në njoftim.
Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadori Kunduros ranë dakord që në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë komunikimin intensiv të ndërsjellë për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, me qëllimin përfundimtar për të siguruar një rritje ekonomike më të shpejtë dhe të qëndrueshme dhe kushte më të mira të jetesës për qytetarët.