Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot mbajti fjalim në vazhdimin e Trajnimit për përkthim dhe interpretim, të organizuar nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve të RMV, e cila duhet të ndihmojë në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen përkthyesit në punën e përditshme dhe zgjidhjen e tyre një mënyrë e unifikuar, me terminologji të barabartë administrative.
“Kjo për arsye se, krahas të drejtës për përdorimin e gjuhës, duhet të mbahet llogari për atë që do të thotë ruajtje, promovim dhe zhvillim i gjuhës standarde, të pastër, korrekte, që do të jetë shembull dhe udhërrëfyes për të gjithë ato që në këtë apo në atë mënyrë depërtojnë te publiku i gjerë, kanë ndikim në rritjen dhe zhvillimin e gjeneratave të reja dhe më e rëndësishmja, për të lehtësuar punën e institucioneve, përkthyesve nëpër institucionet dhe rritjen e vlerës së gjuhës. Gjuha është materie e gjallë, vazhdimisht nën ndikim të rrjedhave, ndikimeve të ndryshme dhe andaj duhet të përshtatet, të modernizohet por, jo edhe të teprohet sepse, asgjë nuk mund të krahasohet dhe të tingëllojë më bukur se gjuha e pastër, standarde por përsëri, burimore”, tha Xhaferi në fjalim.
Ai thotë se mbajtja e llogarisë për mënyrën e komunikimit është ende e nevojshme tani në këtë periudhë kur bota ndodhet në situatë të jashtëzakonshme dhe shumë komunikime zhvillohen onlajn.
Tani më një periudhë më të gjatë kohore, e gjithë bota gjendet në një situatë të jashtëzakonshme të rrezikut shëndetësor, ku sistemet shëndetësore, ekonomike dhe natyrisht, më të prekurit, qytetarët ballafaqohen me sfida ekonomike, shëndetësore, dhe jo vetëm. Në fakt, pëson e gjithë mënyra e jetës dhe funksionimit të një shoqërie. Mësim onlajn, ligjërata onlajn, koncerte, shfaqe teatrale onlajn. Kjo, edhe më tepër e rrit nevojën për përkujdesjen për mënyrën e komunikimit, e shfaqjes dhe prezantimit publik sepse gjuha duhet gjithmonë të përdoret bukur dhe saktë dhe, korona nuk e minimizon aspak vlerën e saj. Përkundrazi, sa me përgjegjësi kujdesemi për të, aq më shumë vlerë do të fitojmë në sytë e bashkëqytetarëve tanë, në sytë e gjeneratave të reja”, tha Xhaferi.
Kjo, shtoi do të jetë në favor të mënjanimit të paragjykimeve, dhe në kontekst të përparësive që i ofron një shoqëri shumetnike dhe shumë gjuhësore.
“Të mësohemi të dëgjojmë njëri tjetrin, të mësojmë të kemi respekt ndaj njëri tjetrit dhe ndaj gjithë asaj tërësie që e bën një individ të veçantë, përkatësia e tij etnike, gjuha që e flet, besimi të cilit i përket, shtresa sociale prej të cilës vjen, gjendja ekonomike, gjinia, profesioni dhe një sërë karakteristikash tjera. Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar shoqëri të zhvilluara dhe të avancuara, shoqëri bashkëkohore, evropiane, me vlera dhe standarde të pranuara ndërkombëtare të cilat i respektojnë parimet themelore të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut”, theksoi në fjalim kryetari i Kuvendit.
Xhaferi përkujtoi se institucioni, njeriu i parë i të cilit është ai, është institucioni i parë në të cilin filloi përkthimi i materialeve të paraqitura në institucion, të cilat u përgatitën në Kuvend dhe iu dorëzuan deputetëve dhe shërbimit në dy gjuhë.
Kuvendi, tha ai, ishte gjithashtu institucioni i parë ku u krye interpretimi i njëpasnjëshëm dhe simultan i folësve në seancat e trupave punues dhe në seancat plenare.
“Edhe pse fillimi ishte shumë i vështirë, sepse numri i vogël i përkthyesve pa përgatitje paraprake në fushën që duhej ta mbulojnë, pajisja modeste me fjalorë dhe mospasja e trajnimeve në pjesën e përkthimit dhe interpretimit nuk ishin në favor të tyre, përsëri, mund të them se me kalimin e kohës, me fitimin e përvojës dhe pasurimin e softuerit të përkthimit, u profiluan në përkthyes që u përgjigjen me sukses sfidave të përditshme në Kuvend”, tha kryetari I Kuvendit në fjalimin e Trajnimit për përkthyer dhe interpretues, organizuar nga Agjencia për zbatimin e gjuhëve në RMV.