Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në takim ambasadorin dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, Dejvid Gir.
Siç theksohet në njoftim, mbështetja për proceset e zhvillimit dhe integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë avancimin e mëtejshëm të proceseve reformuese dhe politikave të dialogut dhe qëllimeve strategjike të shtetit, kanë qenë vetëm një pjesë e bisedës mes tyre.
“Procesi i Regjistrimit ishte një nga pikat e tjera, që u diskutua sot mes Grubit dhe Girit, proces ky shumë i rëndësishëm për vendin, ku zëvendëskryeministri i parë e njoftoi atë se regjistrimi i popullsisë vazhdon edhe më tej në diasporë, kurse në muajin shtator i njëjti, do të realizohet edhe në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me përkrahjen edhe të opozitës dhe shoqërisë civile”, thuhet në njoftim.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori evropian Gir kanë shkëmbyer mendime edhe rreth aktiviteteve që po ndërmerr Qeveria por edhe institucionet tjera përkatëse në reformat administrative në institucione të ndryshme për një administratë më efikase dhe shërbime më të mira ndaj qytetarëve nëpërmjet ndryshimeve ligjore që tashmë janë draftuar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe shpejtë do të dërgohen në Kuvend.
“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit si dhe sundimi i së drejtës në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë po ashtu pjesë e bisedës mes Grubit dhe Girit, ku mes të tjerave u diskutua edhe për një gjyqësor më efikas, lirinë e mediave dhe funksionin e pavarur të institucioneve, derisa kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës, Grubi ka theksuar se nuk ka individë apo institucione të paprekshme dhe kështu do të vazhdohet që të motivohen në punë, të gjitha institucionet kompetente”, qëndron në njoftimin deri tek mediat.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi, gjithashtu gjatë këtij takimi, i ka thënë ambasadorit Gir, se Qeveria mbetet e përkushtuar që të funksionojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, të tregojnë kujdes për shëndetin dhe jetën e qytetarëve por edhe të mbajnë llogari për kompanitë të cilat kanë pësuar humbje ekonomike gjatë Pandemisë, e me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin Gir për angazhimin e tij në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku tashmë në mbarë vendin ka nisur imunizimi masiv i popullatës me vaksina të cilat arrijnë çdo ditë.
Zgjedhjet lokale, siç theksohet më tej, gjithashtu kanë qenë pjesë e bisedës gjatë këtij takimi, ku të njëjtat pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti dhe si proces janë shumë të rëndësishme për vendin.
Ndryshe, Grubi dhe Gir kanë diskutuar edhe mbi situatën politike në vend, proceset nëpër të cilat, kalon Republika e Maqedonisë së Veriut si dhe nevoja e një vetëdije më të lartë nga ana e të gjithë subjekteve politike për funksionim më të përshtatshëm të Kuvendit Republikan, në favor të nevojave të qytetarëve dhe implementimit të agjendës evropiane.