Në Shqipëri, më datë 25 prill 2021, u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e Kryeministrit të ri dhe për zgjedhjen e qeverisë së re. Partitë kryesore, të cilat morën pjesë në zgjedhjet parlamentare 2021 janë Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera të vogla si: PSD, NTH, BD, LN, PLDSH, LRE, ADR, PBK, ABEOK dhe Kandidati i Pavarur. Proçesi i votimit u përfundua i qetë në përgjithësi, me disa incidente të vogla ,ashtu siç njoftoi Komiteti I Helsinkit në Shqipëri,i cili monitoroi të gjithë procesin e votimit dhe të numërimit. Në orën 07:00 të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se të gjithë bashkë, përtej partive dhe ndasive të gjithë të tregojnë se më e rëndësishme është Shqipëria.
Prej orës 07:00 nisi procesi i votimit në Shqipëri, por në disa KZAZ ka pasur problematika. Në disa qendra votimi ende nuk kishte nisur procesi për shkak të vonesave të ndryshme. Mësohet se në KZAZ numër 19, në Dibër nisi me vonesë për shkak se lista e votuesve ka pasur probleme.
Po ashtu dhe në disa qendra votimi në Malësi e Madhe, Kukës, Tropojë qendrat e votimit janë hapur me 20 minuta vonesë. Por, edhe në qytete të tjera ka pasur problematika për sa i përket komisionerëve, të cilët janë ndërruar në momentin e fundit.
Në Njësinë 10, aty ku u krye votimi dhe numërimi elektronik. Si kanë votuar qytetarët?
Në KZAZ-në Nr.40 në Njësinë 10 në Tiranë është implementuar votimi dhe numërimi elektronik, një proces që zhvillohet për herë të parë për zgjedhjet në Shqipëri. Fillimisht është bërë identifikimi biometrik i qytetarëve të cilët do të votonin, e më pas përzgjedhja e tyre për partinë dhe kandidatët është bërë elektronikisht në një pajisje të posaçme. Njëri prej operatorëve të kësaj pajisje ka shpjeguar se si funksionon votimi elektronik. Sipas tij, nëse votuesi bën përzgjedhje të gabuar, pajisja elektronike mundëson kthimin pas për të bërë korrigjimin e nevojshëm.
Në orën 09:02 Policia e Shtetit Shqiptar deklaron se nuk ka pasur asnjë problem gjatë dorëzimit të qendrave të votimit. Përfundoi në të gjithë vendin, dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së 24 prillit. Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. Dorëzimi i Qendrave të Votimit ka filluar që prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 25.04.2021, sipas të gjitha kërkesave ligjore, duke i dorëzuar me proces-verbalet përkatëse të lëshuara nga komisionet e votimit. Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbenin si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme, nga ana e punonjësve të policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisionet përkatëse.
Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Mbi disa gjetje dhe konkluzione paraprake nga vëzhgimi i disa aspekteve të procesit zgjedhor, në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare të dt. 25 Prill 2021 Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është organizatë jofitimprurëse, misioni i të cilës është të kontribuojë për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë. Duke vlerësuar ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur si një të drejtë themelore kushtetuese, KShH ka monitoruar proceset zgjedhore të realizuara në vendin tonë që prej vitit 1996.
Për monitorimin e procesit zgjedhor të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, KShH ka angazhuar 206 vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë, të akredituar nga KQZ, në 14 Bashki të vendit, përkatësisht në: Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër, Malësi e Madhe, Dibër, Lezhë, Pogradec, Berat, Kukës, Gjirokastër.
KShH, më datë 23 prill 2021 ka publikuar një raport të ndërmjetëm lidhur me aspekte të procesit parazgjedhor1 , me fokus në reformën zgjedhore, ngritjen dhe veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQV), listat e zgjedhësve, votën e diasporës, fushatën zgjedhore dhe ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore, incidentet dhe denoncimet për shitblerjen e votës, integritetin e kandidatëve për deputet dhe dekriminalizimin, si dhe aspekte të ngritjes dhe funksionimit të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV).
Ky raport pasqyron disa prej gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake nga vëzhgimi i procesit zgjedhor, procesit të votimit dhe numërimit, në 14 Bashkitë në fjalë. Vëzhgimi është realizuar në kuadër të zbatimit të dy nismave, përkatësisht “Unë marr pjesë! Zëri im, vota ime vlen” mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian dhe “Drejt integritetit më të mirë të kandidatëve, për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme”, mbështetur nga Republika Federale Gjermane.
Në mënyrë të përmbledhur, nga monitorimi i disa aspekteve të rëndësishme të procesit para zgjedhor, ditës së votimit dhe numërimit rezulton se:
Grupet e Numërimit të Votave (GNV) Ngritja e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV) në disa raste është shoqëruar me problematika dhe vonesa, duke mos respektuar kërkesat e nenit 95 të Kodit Zgjedhor. Nga KZAZ-të e monitoruara më datë 21.04.2021 rezulton se në KZAZ nr. 35, Tiranë nuk janë ngritur GNV-të.
Edhe në Vlorë ka patur raste ku GNV-të nuk janë ngritur, konkretisht në KZAZ nr. 84 dhe nr. 86, ku shkak është bërë konflikti politik mes subjekteve LSI dhe PDIU, sa i takon emërimit të numëruesit të katërt në përputhje me nenin 96 të KZ. Procesi është shoqëruar edhe me vonesa, ku ndër KZAZ-të e monitoruara, KZAZ nr. 83 në Vlorë, KZAZ nr. 66 në Berat dhe KZAZ nr.81 në Gjirokastër janë ngritur përkatësisht një deri në 5 ditë në tëjkalim të afatit ligjor.
Përcjellja me vonesë e propozimeve të emërimit të anëtarëve të GNV-ve nga subjektet zgjedhorë, ka sjellë vonesa duke sjellë krijimin e grupeve me përbërje të pjesshme. Kështu, në KZAZ nr.81 në Gjirokastër, propozimet për anëtarë janë përcjellë pesë ditë me vonesë.
Koordinatorët lokalë raportojnë se nëtarët e emëruar kanë arsim të lartë. Gjatë monitorimit të GNV-ve, për vëzhguesit e KShH-së ka patur kufizim aksesi në KZAZ nr 35, Tiranë dhe KZAZ nr.48 dhe 50 në Elbasan, anëtarët e të cilave nuk kanë lejuar vëzhguesit të kqyrnin Librin e Protokollit apo vendimet e KZAZ, në cënim të nenit 7 të Kodit Zgjedhor (KZ).
Gjatë procesit të votimit, situata raportohet të ketë qenë e qetë dhe pa incidente, në ndryshim nga klima parazgjedhore e cila ka patur një trend ashpërsues para ditës së heshtjes zgjedhore. Policia e shtetit, nga monitorimi i medias por dhe vëzhguesve, rezulton ta ketë menaxhuar me vigjilencën dhe vëmendjen e duhur situatën e rendit dhe sigurisë publike si dhe respektimin e detyrave që janë parashikuar në Kodin Zgjedhor, dhe në mënyrë të veçantë në rastet kur KQV-të kanë kërkuar ndihmesën e saj, në kushtet kur në qendrën e votimit mund të jetë siguruar rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit. Mgjth, vërehet si pozitiv fakti se thirrja e efektivëve të policisë së shtetit është bërë vetëm në raste përjashtimore dhe është aplikuar si masë e fundit, tregues pozitiv ky i menaxhimit të situatës nga vetë KQV-të kur ka patur tentativa për të bllokuar procesin e votimit, reagime emocionale të vëzhguesve partiakë, etj.
Një nga objektivat kryesorë të nismës së ndërmarrë nga KShH konsistonte në adresimin e nivelit të mosbesimit të qytetarëve shqiptarë duke nxitur një angazhim më të afërt dhe të rregullt të tyre në proceset politike të lidhura me ushtrimin e të drejtës së votës. Në bashkëpunim me Civil Rights Defenders, Institutin për Studime Politike dhe katër organizata aktive lokale në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Durrës, janë kryer një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese që kanë kontribuar modestisht në pjesëmarrjen e lartë të zgjedhësve në Zgjedhjet Parlamentare të dt.25 Prill. KShH shikon si një aspekt shumë të rëndësishëm, pjesëmarrjen e konsiderueshme të zgjedhësve në rang vendi, në masën 47,94 %, sipas të dhënave të raportuara nga KQZ. Shifrat e raportuara për pjesëmarrjen janë një tregues pozitiv, në drejtim të rritjes së besimit të zgjedhësve tek e drejta për të votuar dhe institucioni demokratik i zgjedhjeve.
Masat anti-kovid
Protokolli “Lidhur me masat anti-Covid19 gjatë procesit zgjedhor dhe ditën e votimit” nuk është zbatuar rigorozisht në QV-të e monitoruara. Veçanërisht është konstatuar se jo të gjitha QV të janë vendosur në katin e parë të ndërtesës, nuk kanë patur dyert apo dritaret e nevojshme që garantojnë ajrosje të mjaftueshme, konform masave për ndalimin e përhapjes së Covid-19. Gjithashtu, vëzhguesit kanë sinjalizuar rregullisht se masat ndaj Covid-19 (mbajtja e maskës, distancimi) nuk janë zbatuar në mënyrë të përgjegjshme dhe rigoroze si nga anëtarët e KQV-së dhe zgjedhësit.
Gjithashtu Komiteti Shqiptar I Helsinkit ka konstatuar prezencën e personave të paautorizuar në ambientet jashtë dhe brenda në qendrat e votimit.
“Me ndryshimet që pësoi neni 109 KZ, me shtimin e pikave 6 dhe 7 konstatohet se prezenca e personave të paautorizuar nuk lejohet jo vetëm në ambientet e ambientet e brendshme të QV, por edhe jashtë saj. Përgjatë procesit të votimit, vëzhguesit e KShH-në kanë raportuar vazhdimisht për prezencën e personave të paautorizuar, të cilët orientojnë apo shoqërojnë zgjedhësit për në QV-të. Është problematik fakti që anëtarët e KQV-së rrallëherë kanë marrë masa për largimin e personave të paautorizuar nga ambjentet e QV-së, nëpërmjet njoftimit të oficerëve të policisë me pretendimin se janë përgjegjës vetëm për rregullin brenda QV, në kundërshtim me pikën 6 dhe 7 të nenit 109 KZ”,deklaroi Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Përsa i përket ndalimit të votimit familjar, vëzhguesit e KShH kanë evidentuar se anëtarët e Komisioneve kanë qenë të paqartë dhe jo të orientuar mjaftueshëm për procedurat dhe kanë referuar në mënyrë të gabuar në disa raste, nenin 108 të KZ që parashikon votimin me ndihmës (asistues) për zgjedhësit me aftësi të kufizuara. Kështu, gjatë vëzhgimit janë raportuar vazhdimisht raste të votimit të anëtarëve të familjes bashkarisht. Administrata zgjedhore në disa raste ka reaguar vetë për moslejimin e votimit familjar në mënyrë të përsëritur, si dhe në disa raste tentativat për votim familjar janë parandaluar nga depozitimi i vërejtjes me shkrim nga vëzhguesit e KShH. Problematike është raportuar refuzimi i marrjes në dorëzim dhe protokollimit të vërejtjeve me shkrim për votim familjar prej anëtarëve të QV 1157 dhe 1144 (Bashkia Dibër), në shkelje të nenit 7 të KZ.
Fshehtësia e votës
Janë evidentuar raste ku zgjedhësit kanë shkelur parimin e fshehtësisë së votës duke zbuluar votën e tyre gjatë palosjes së votës apo e kanë komunikuar atë me zë të lartë. Gjithashtu vëmendje të shtuar në raportimin e vëzhguesve ka patur edhe fotografimi i votës, i cili ngarkon me përgjegjësi penale zgjedhësit në bazë të nenit 327 K.Penal. Ndalimi i përdorimit të telefonisë celulare për zgjedhësit ka qenë në vëmendje të KQZ, ndërkohë që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë ditës së fillimit të heshtjes zgjedhore ka ofruar për publikun porositë e tij. KShH është sinjalizuar për përdorim të telefonisë celulare dhe tentativave për fotografim të votës disa qendra votimi në Pogradec, Dibër, Tiranë, Fier, Vlorë. Në këto raste, praktika e ndjekur nuk ka qenë e unifikuar, shtetasit janë këshilluar verbalisht ose anëtarët e KQV-së kanë sekuestruar telefonin përkatës. Jo në të gjitha rastet e fotografimit, fletët e votimit janë vlerësuar si të pavlefshme dhe votuesve u është dhënë një tjetër fletë votimi. Ndërhyrja e Policisë është kërkuar në raste të rralla, në Bashkinë Tiranë (QV1767) dhe Vlorë (QV 4498/1), ku pas vërejtjeve të vëzhgueses së subjekteve zgjedhor pas oficerët e policisë morën të dhënat e personit dhe kërkuan procesverbalin e mbajtur nga Kryetarja e KQV në cilësinë e provës.
Mbyllja e procesit të votimit
Në shumicën dërrmuese të QV-ve, procesi i votimit është mbyllur brenda afatit kohor të parashikuar në Kodin Zgjedhor, në orën 19:00. Në disa QV, është raportuar ky afat kohor nuk është respektuar nga ana e KQV-ve (në kushtet kur ka patur ose jo zgjedhës në radhë ose për t’i mundësuar anëtarëve të KQV-ve të votojnë), ndërkohë që vonesat e konstatuara kanë qenë maksimalisht një orë si rezultat i mbylljes së votimit.
Numërimi i votave
“Në vijim të mbylljes së procesit të votimit për Zgjedhjet për Kuvend të 25 prillit 2021, KShH monitoroi 21 vende të Numërimit të Votave (VNV) në 14 Bashki. Parashikimi ligjor i nenit 114 të KZ për mbërritjen pranë VNV-ve, të kutive të votimit të të gjitha QV-ve në juridiksionin e ZAZ-së, brenda 3 orësh prej mbylljes së votimit, përgjithësisht nuk u zbatua. Përjashtim bën ZAZ nr. 11 Bashkia Kukës, ZAZ nr.59 Bashkia Fier, ZAZ nr 73 Bashkia Korcë, të cilat përfunduan procesin e dorëzimit të kutive të votimit brenda afatit kohor të parashikuar në dispozitën ligjore.
Ashtu si në të kaluarën, KShH ka vërejtur se administrata zgjedhore e ngarkuar për numërimin e votave është trajnuar në një kohë të papërshtatshme, vetëm pak kohë para se të fillojë procesi i numërimit, duke krijuar premisa për mosnjohjen e duhur të legjislacionit zgjedhor. Gjithashtu, trajnimi para numërimit dhe fakti që GNV-të punonin me orare të zgjatura veçanërisht gjatë orëve të natës, krijoi probleme në drejtim të ritmit të procesit të numërimit dhe përqendrimit të anëtarëve të GNV-ve”,ka theksuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Rezultatet e Zgjedhjeve në Shqipëri
Mbaroi procesi i numërimit me fitues Qeverinë aktuale, Partinë Socialiste me në krye Edi Ramën, duke përfituar 74 mandate në Parlamentin Shqiptar. Gjithsej janë 5198 qendra votimi, nga të cilat numërimi u krye në kohë e me sukses. Partia Demokratike mori 59 mandate,kurse Lëvizja Socialiste për Integrim vetëm 4 mandate. Qarku i Shkodrës, i Kukësit, i Lezhës dhe i Dibrës u ngjyrosën me blu, ngjyrë e cila dëshmon fitoren e Partisë Demokratike në këto qarqe.
Duhet theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje, në të gjithë Shqipërinë, rezultoi me 47.94 % ,nga ku Tirana dhe Dibra kishin pjesëmarrjen më të madhe me mbi 50 % të qytetarëve. Qarku i Vlorës rezultoi me pjesëmarrjen më të vogël me 34.05 %.
“Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur! Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë”, shkruan Rama,pas deklaratës së Lulzim Bashës për mospranimin e humbjes zgjedhore.
Më herët në një prononcim për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha tha se zgjedhjet e 25 Prillit kanë qenë një masakër elektorale dhe përgjegjës bëri kryeministrin Edi Rama. Basha tha se opozita po mbledh fakte dhe prova që të vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve ndërsa shtoi se “beteja do të bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë”.
Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka bërë thirrje që të hapen kutitë dhe të rinumërohen me transparencë votat.
Ai shkruan se shqiptarëve nuk mund t’ju grabitet vota dhe vullneti që kanë shprehur përmes saj.
“Zero vëmendje ndaj Parlamentit me Zero opozitë. Ndryshimi është brenda në kuti. Hapni kutitë! Numëroni dhe rinumëroni me transparencë çdo votë sipas Kodit Zgjedhor. Çdo shkelje dhe manipulim të evidentohet me qetësi deri në fund të procesit! Shqiptarëve nuk mund t’ju grabitet kurrsesi vota dhe vullneti i shprehur përmes saj”, shkruan Blushi.
Në Konferencën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, u shtrua pyetja nëse ka pasur problem gjatë votimit të personave me aftësi të kufizuar dhe a është hasur diskriminim ndaj komuniteve të ndryshme në Shqipëri. KSHH raporton se nuk ka pasur informacion mbi diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuar. Në Shëngjin ka pasur fluks të komunitetit rom dhe egjiptian pa distinktiv dhe mendohet të jenë intimiduar nga persona të tjerë për të ushtruar të drejtën e votës, madje Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton se nuk ka pasur asnjë diskriminim ditën e zgjedhjeve.
Duke kontaktuar me qendrat e votimit të Njësisë nr.8 bashkiake në Tiranë, punonjësit deklaruan se pjesëmarrja këtë vit në zgjedhje ishte e vogël sepse dallohet që shumica e qytetarëve kanë humbur besimin tek drejtuesit e tyre politikë.
Ilir Ajdini, për Civil Media dhe Drejt, i pyetur se cilat janë disavantazhet dhe avantazhet e qeverisjes së Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë,u përgjigj se nuk do të kishte probleme të mëdha edhe sikur të fitonte zgjedhjet Partia Demokratike,opozita e tanishme. Por, fitorja e Edi Ramës ka avantazhet e saj, sepse është përgatitur terreni për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe do të ndihmojë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke qenë se ka shqiptarë në hapjen e rrugës drejt familjes së madhe të BE-së. Disavantazhet e fitores së Edi Ramës dhe Qeverisë së tij mund të jenë stërzgjatja e qëndrimit të tij në pushtet, mekanizmat diktatorial për mbajtjen e pushtetit, dhe nuk i bën përshtypje as media me gazetarët e saj, forcimi i ndikimit në media. Në aspekt ekonomik, me forcimin e marrëdhënieve të Tregtisë së Lirë mes vendeve të rajonit, Ilir Ajdini thekson se përsa i përket marrëdhënieve ekonomike me Maqedoninë e Veriut, nuk ka bërë marrëveshje të mëdha deri tani, kurse në marrëdhënie me Kosovën ndryshon situate, sepse kërkohet bashkëpunim nga të gjitha vendet në rajon e në BE. Ai deklaron më tej se, beson në bashkim kombëtar në kuadër të Bashkimit Evropian sepse do të rezultojë më i leverdisshëm për të dy shtetet. Në një farë shkalle ekziston bashkëpunimi, por bashkimi kombëtar ndoshta ndodh brenda Bashkimit Evropian.Ajdini, i pyetur gjithashtu, nëse ka pasur dijeni nëse kanë votuar shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, tregon se kanë votuar pasi disa prej tyre mund të rezultojnë me dy shtetësi, por nuk ndikon aq shumë në zgjedhje kjo masë votuesish. Përmendim, gjithashtu Albin Kurtin, i cili votoi në Shqipëri. Zoran Zaev përgëzoi Edi Ramën për fitoren e le të jetë kjo një moment i rëndësishëm për të gjithë rajonin.
Megi Asllani