Gjatë festave të ardhshme, prioriteti i parë është respektimi i masave. Do të ishte mirë që të largohemi nga turmat, të mbajmë distancë, ndërsa në tempujt në mënyrë të obliguar të mbahet maskë mbrojtëse. Ndryshe, të gjitha përpjekjet e deritanishme do të jenë të kota nëse harrohet rreziku nga virusi.
Këto janë një pjesë e rekomandimeve, të cilat dje deri te qytetarët i dërguan kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, si dhe Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze.
Kryeministri bëri thirrje që për 1 maj dhe festat tjera të jemi në ambient të hapur dhe t’i shmangim objektet e mbyllura.
“Për festat e ardhshme, prioritet i parë është respektimi i masave, gjithmonë në gatishmëri, të shmangim turmat, grupimet, të mbajmë distancë, të jemi në ambient të hapur, të shmangim hapësirat e mbyllura dhe grupime”, tha Zaev.
Ai pret që e njëjta gjë nga udhëheqësit fetarë, nga krerët e KOM-it, të BFI-së, por edhe nga udhëheqësit e tjerë të bashkësive më të vogla fetare, të apelojnë dhe të marrin pjesë në organizim, siç u tha në takime , në mënyrë që të mund të festojmë festat, por edhe të mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të të gjithëve përreth nesh.
Edhe ministri Filipçe dje u prononcua me apel që qytetarët të jenë përgjegjës dhe t’i respektojnë masat për mbrojtje nga Kovid-19.
“Ajo që po ndodh tani, theksoi Ministri, ka për qëllim qetësimin e situatës epidemiologjike, ndërsa mundësi për shkelje të masave dhe rekomandimeve ka pasur edhe deri tani, dhe ka tani e tutje. Pra, ato vizita në objektet fetare, tubime masive dhe kur ato nuk lejohen në drejtim të shkeljes janë gjithmonë të mundshme dhe gjithmonë prej andej lindin të gjitha problemet, për sa i përket shfaqjes së mini grupeve”, theksoi Filipçe.
Siç sqaroi, ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe me shembullin tonë, duke e marrë parasysh përgjegjësinë tonë, të veprojmë si duhet brenda asaj që tani do të thotë jetë me masa, rekomandime, parandalim, etj.
Sipas ministrit, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që duhet bërë, çfarë nuk duhet të bëhet, se si ata vetë do të kontribuojnë në dobësimin e mëtejshëm të epidemisë, përkatësisht numrat të zvogëlohen.
“Tempujt fetarë janë të hapur, xhamitë dhe kishat, dhe tani çdo ditë nëse ka ndonjë shërbim, etj. njerëzit që nuk u përmbahen masave parandaluese dhe nuk kujdesen për shëndetin e tyre janë në rrezik. Qeveria nuk mund të thotë gjithmonë dhe të zgjedhë midis kufizimeve të rënda ose hapjes së plotë ose diçkaje ndërmjet tyre, ndërsa qytetarët të mos përfshihen në veprimet e tyre dhe përgjegjësinë e tyre. Dhe ky është thelbi, që ne duhet të funksionojmë dhe të jetojmë”, tha Filipçe.
Ministri i Shëndetësisë përkujtoi pjesëmarrjen e liderëve fetarë në disa takime të përbashkëta dhe apelin që besimtarët t’i përmbahen masave ose gjithçkaje që do të thotë mbrojtje e shëndetit të qytetarëve.
Edhe Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë dhe grupet fetare u bën apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve të festave mundësinë e dhënë për të festuar me masa lehtësuese kufizuese ta kuptojnë vetëm përmes prizmit të rritjes së përgjegjësisë personale në aplikimin e mjeteve mbrojtëse.
“Ne u bëjmë thirrje besimtarëve brenda dhe jashtë tempujve detyrimisht të mbajnë maskë mbrojtëse dhe të mbajnë distancë. Të gjitha përpjekjet e deritanishme do të jenë të kota nëse e harrojmë rrezikun e virusit dhe pasojat e tij. Gjithashtu, tubimet më të mëdha në shtëpi dhe lokacionet e fundjavës për shkak të kremtimit të festës janë me rrezik të lartë, kumtoi dje Komisioni.
Prej atje bëjnë thirrje për respektim të vazhdueshëm të të gjitha masave të vendosura nga autoritetet shëndetësore dhe qasje serioze.