Gjithsej 200.000 vaksina “Sinofarm” arritën në mëngjes në Shkup, të cilat deri të hënën do të shpërndahen në sallën “Boris Trajkovski” në gjashtë qytete në shtet, që me to të fillojë vaksinimi masiv dhe të vaksinohen mes 10.000 dhe 15.000 persona në ditë.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i shprehu falënderim ambasadorit kinez Xhang Xuo, të cilët ishin të pranishëm në dorëzimin e vaksinave në poliklinikën “Jane Sandaski”, duke paralajmëruar se këtë muaj priten edhe sasi tjera të mëdha, edhe 600.000 nga Kina dhe 26.000 doza nga “Fajzer”. Me këtë, besohet se deri në fillim të verës do të kemi përqindje të madhe të popullatës së vaksinuar, gjë që do të kontribuojë për ndryshimin e tërësishëm të gjendjes epidemiologjike.
“Herët në mëngjes arritën vaksinat e pritura nga prodhuesi Sinofarm nga RP e Kinës dhe me lejoni të shpreh falënderim të madh për angazhimin personal të ambasadorit Xuo, pastaj nga njerëzit e ekipit të tij, me të cilët kemi biseduar pothuaj për çdo ditë gjatë periudhës së kaluar. Bëhet fjalë për sasi prej 200.000 vaksinave, të cilat menjëherë shërbimet do t’i vendosin në dhomën e ftohtë, e cila është vendosur falë Fondacionit Dajrik delif. Gjatë ditëve të ardhshme, deri të hënën do të shpërndahen në të gjitha pikat për vaksinim, në Shkup në sallën “Boris Trajkovski” dhe në të gjitha gjashtë qytetet në salla sportive. Ato janë Kumanova, Shtipi, Kavadari, Tetova, Ohri dhe Manastiri dhe sipas orarit të qytetarëve tanimë të paraqitur. Gjithashtu, do të sistemohet edhe numri i vaksinave dhe procesi i vaksinimit me vaksinat kineze do të fillojë të martën”, deklaroi Filipçe.
Këto vaksina, precizoi ai, të cilat tanimë janë të paketuara në shiringa dhe janë të gatshme për aplikim, do të shpërndahen në pikat e mëdha për vaksinim në të gjithë gjashtë qytetet dhe në Shkup në pajtim me numrin e qytetarëve të paraqitur, dhe vaksinimi mund të fillojë të martën.
“Pikat janë gati, njerëzit janë koordinuar, bëhet fjalë për kuadrot shëndetësore, jo vetëm në ato qytete, por edhe ato në rrethinë, të cilët ndihmojnë. Numri i qytetarëve, që do të vaksinohet në ditë, do të jetë mes 10.000 dhe 15.000”, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë.
Ambasadori kinez Xuo tha se arritja e dërgesës prej 200.000 vaksinave “Sinofarm” paraqet jo vetëm kthesë në solidaritetin mes dy vendeve në luftën kundër pandemisë, por edhe kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi në imunizimin është i rëndësishëm për pengimin, kontrollin dhe fitoren ndaj epidemisë. Kina, i ka shpallur vaksinat për të mirën publike globale dhe iu bashkangjit programit KOVAKS të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha mes të tjerash ambasadori Xuo.
Këtë muaj, informoi ministri Filipçe, presim të arrijnë rreth 500.000 doza të vaksinës “Sinovak”, pastaj 100.000 doza shtesë, të cilat vijnë si donacion falë Ministrisë së Mbrojtjes.
“Gjatë bisedave të ministres Shekerinska, me ministrin kinez të Mbrojtjes, u paralajmërua donacion prej 100.000 vaksinave shtesë ‘Sinofarm’. Do të thotë edhe 600.000 vaksina nga Kina për 300.000 qytetarë, 26.000 doza nga vaksina Fajzer përmes marrëveshjes sonë të drejtpërdrejtë, ende nuk kemi termin të saktë për atë se kur dhe në çfarë sasie do të arrijnë vaksinat ruse”, tha Filipçe.