Norvegjia dhuroi 100 respiratorë mekanikë për ventilim invaziv dhe joinvaziv, të dizajnuar për përdorim në raste urgjente dhe jashtë sallave spitalore, gjegjësisht në autoambulance dhe salla më të vogla për ndihmë urgjente, të cilat do të shpërndahen sipas nevojave përgjatë vendit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas pranimdorëzimit të donacionit, tha se kjo është edhe një dëshmi se partneritetet vlejnë dhe njihen, atëherë kur kjo është më shumë e nevojshme.
“Ky nuk është donacioni i parë nga Norvegjia, e as nga vendet e NATO-s. Kjo është ndihma e tretë nga Norvegjia. Donacioni i parë ishte pajisje personale për mbrojtje, pastaj na dhuruan teste të shpejta për detektim të virusit dhe tani, kjo ndihmë shumë e rëndësishme për ne, që seriozisht do ta rrisë cilësinë e institucioneve shëndetësore për trajtim të pacientëve me Kovid”, porositi Filipçe.
Në kuadër të partneritetit me Norvegjinë, theksoi ai, arritëm të formojmë edhe ekipe të mjekëve të cilët janë pjesë e misionit në Kabul dhe në këtë mënyrë u bë pjesë e sistemit të NATO-s për ofrimin e mbrojtjes shëndetësore.
Atasheu norvegjez i mbrojtjes nënkoloneli, Egil Daltveit theksoi se ka bashkëpunim të fuqishëm mes forcave të armatosura të Norvegjisë dhe Maqedonisë së Veriut, që ka ndihmuar për realizim më të shpejtë të donacionit.
“Dorëzuam pajisje në vlerë prej 600 mijë euro, për vetëm disa ditë pasi lindi kjo ide, deri në arritjen e pajisjes në Shkup”, deklaroi Daltveit.
Pandemia, theksoi Daltveit, fuqishëm e goditi Maqedoninë e Veriut dhe tashmë keni humbur shumë jetë.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska tha se epidemia u bë çështje mbijetese dhe i bashkoi shtetet e botës në garën për vaksina dhe ilaçe, në të cilën ne si stet jemi më të fuqishëm, falë aleatëve tanë.
Si shtet dhe Armatë e përforcojmë bashkëpunimin tonë, por theksoi ajo, e shohim se bashkëpunimi në NATO dhe mbrojtje përhapet edhe në sektorë të tjerë.
Mbështetja nga Norvegjia, theksoi ministrja, nuk do të harrohet.