Nisma “Fund shpërdorimit” të cilën e filloi CIVILi në vitin 2019 me kërkesa në Kuvend për heqjen e privilegjeve të zyrtarëve është ende e rëndësishme dhe do të mbetet derisa, duke filluar me ish-presidentët, dhe duke përfunduar me drejtuesit e agjencive shtetërore dhe institucioneve të tjera, të gjitha privilegjet nuk shfuqizohen, gjegjësisht zbriten në një nivel që është i pranueshëm për një vend që deklaron veten si një shtet i mirëqenies sociale , sipas Kushtetutës. Shkurtimisht, kërkesat e paraqitura nga CIVILi në Kuvend, janë:
Ulje drastike e shpenzimeve rrugore të zyrtarëve, më saktësisht, sigurimi i fondeve në shumën e çmimit për transportin publik.
Heqja e apanazhit në çdo nivel, për çdo pozicion.
Heqja e pensioneve të përjetshme për ish-presidentët, derisa të plotësojnë kërkesat e daljes në pension, në përpjesëtim me të ardhurat që kanë marrë gjatë jetës së tyre të punës.
Heqja e shtesave monetare dhe shtesave tjera për të gjithë bordet e drejtorëve, gjegjësisht, pozita në ato organe dhe organe të ngjashme duhet të jetë e nderit, dhe jo me pagesë.
Heqja ose bashkimi i agjencive shtetërore, duke ulur numrin e të punësuarve. Ne kërkojmë heqjen e të gjitha privilegjeve që lidhen me përdorimin e automjeteve zyrtare, ekipeve kombëtare, sigurimin e zyrtarëve dhe privilegje të tjera të mbiçmuara.
Të vendoset një praktikë e ndalimit të prokurimit të automjeteve zyrtare të klasës së mesme dhe të lartë.
Heqja e kompetencave të diskrecionit të zyrtarëve.
Zyrtarët në legjislaturë dhe ekzekutiv, dhe natyrisht qeveria lokale, duhet të heqin dorë nga makinat luksoze, shpenzimet e udhëtimit, shpenzimet e përfaqësimit, udhëtime të shtrenjta për të cilat ka justifikime të dobëta, mobilje luksoze, blerje të veprave artistike për të “dekoruar” hapësirën e tyre të punës dhe të gjitha lehtësitë e tjera për të cilat ata pretendojnë bazuar në ligjet prapa të cilave ekzistojnë motive të dyshimta dhe madje edhe kriminale.
Kjo kërkesë është edhe më tepër në vëmendjen e publikut, meqenëse shpenzimet e udhëtimit për deputetët paguhen, por vetë deputetët nuk marrin pjesë në seanca, gjë që pengon punën e Kuvendit. Nga ana tjetër, mundësia e seancave online shmanget me këmbëngulje si pikë në rendin e ditës. Në kohë pandemie me Covid-19, kjo mënyrë e funksionimit do të lehtësonte punën e Kuvendit, deputetët do të ishin të sigurt dhe nuk do të kishte nevojë për shpenzime udhëtimi.
Menjëherë pas njoftimit të nismës në maj 2019, disa politikanë, përfshirë presidentin aktual Stevo Pendarovski, asokohe kandidat për president, dhanë mbështetjen e tyre. Mbështetja në një krizë shëndetësore kur shëndeti publik është një përparësi kryesore është edhe më e nevojshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzimin e parave publike pa nevojë për deputetë të privilegjuar. Dhe jo vetëm mbështetje. CIVILi kërkon një procedurë urgjente për korrigjimin e rregulloreve ligjore, sipas të cilave shpenzohen shuma marramendëse parash për përfitimet të zyrtarëve.