Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme me 12 vota nga po aq anëtarë të pranishëm e zgjodhën Pavlina Cërvenkovskan kryetare të re.
Në pajtim me Ligjin e ri për këshill gjyqësor, i cili hyri në fuqi vitin e kaluar, zgjedhja e kryetarit të Këshillit gjyqësor u bë nga anëtarët e këshillit me të drejtë vote të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi, me mandat prej dy vitesh, pa të drejtë të rizgjedhjes.
Cërvenkovska, pas zgjedhjes, porositi se nuk do të zhgënjejë me besimin e dhënë dhe u angazhua se në mënyrë profesionale me të gjithë integritetin do ta kryejë funksionin e kryetares së Këshillit gjyqësor.
“Funksioni që mu dha sot e kuptoj si funksionin e parë në mesin e të barabartëve. Ne jemi trup kolektiv dhe vendimet këtu i sjellim me shumicë votash. Roli im do të jetë vetëm të kontribuoj që sa më shumë të përforcohet fryma ekipore e këtij Këshilli gjyqësor”, deklaroi Cërvenkovska.
Pavlina Cërvenkovska është zgjedhur anëtare e Këshillit gjyqësor në dhjetor të vitit të kaluar. Nga viti 2006 deri në vitin 2020 ka punuar si këshilltar gjyqësor në Gjykatën e Apelit Shkup. Paraprakisht nga viti 2004 deri në vitin 2006 ka punuar si Këshilltare shtetërore në Qeveri ndërsa ka punuar edhe si Drejtuese Sektori në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 ka punuar si avokate, ndërsa nga viti 1996 deri në vitin 1998 si Sekretare shtetërore e Odës së kapitalit privat të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i deritanishëm i Këshillit gjyqësor, Kiro Zdravev shkeli në funksion më 27 prill 2019.
Këshillin gjyqësor e përbëjnë 15 anëtarë, prej të cilëve tetë zgjidhen nga radhët e gjykatësve, tre i zgjedh Kuvendi dhe dy anëtarë, me propozim të Presidentit të shtetit. Anëtarë pa të drejtë vote janë edhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë. Ata zgjidhen me mandat prej gjashtë vitesh, me të drejtë për edhe një rizgjedhje tjetër.