Kryeministri Zoran Zaev shprehu mirënjohje nga respektimi i masave për mbrojtje nga Kovid-19 dhe i porositi qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë ato.
“Para dy javë e gjysmë, kur sollëm vendim t’i mbyllim objektet hotelerike dhe ora policore të jetë prej orës 20, numrat e të prekurve nga virusi ishin 1520, 1480. Pas një jave ranë në 1200, 1100, tani janë 800, 750, 640, do të thotë masat japin efekt, gjithsesi janë të pamjaftueshme. Duhet të vazhdojmë t’i respektojmë masat”, tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, pas lëshimit në përdorim të centralit fotovoltaik në Tetovë, Komuna e Bërvenicës.
Qëllimi final, shtoi kryeministri, është t’i presim festat në atmosferë familjare, me më pak qytetarë të sëmurë, më pak jetë të humbura njerëzore.