Ndryshimet klimatike janë shumëzues i rrezikut dhe ndikojnë në ekonomitë, mjedisin dhe shoqëritë në mënyra komplekse në Evropën Juglindore, sipas raportit të lëshuar sot nga OSBE-ja dhe Qendra e kërkimeve dhe analizës “Adelfi” me bazë në Berlin që përkon me Ditën e Planetit Tokë dhe pesë vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Parisit.
Raporti “Vlerësimi rajonal për Evropën Juglindore: Implikimet e sigurisë nga ndryshimet klimatike”, i cili identifikon rreziqet, pikat e nxehta, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e bashkëpunimit, paraqet rezultatet e konsultimeve të gjera mbi ndryshimet klimatike dhe sigurinë në rajonin e OSBE-së. Këto konsultime përfshijnë një seri punëtorish dhe hulumtimesh me pjesëmarrjen e mbi 80 përfaqësuesve të organeve qeveritare, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik të Evropës Juglindore dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ndryshimet klimatike po përshpejtohen globalisht dhe efektet po ndihen në të gjithë Evropën Juglindore me rritjen e frekuencës dhe intensitetit të valëve të nxehtësisë, thatësirave, përmbytjeve dhe zjarreve”, thuhet në raportin.
Mbi të gjitha, raporti thekson disa mundësi bashkëpunimi rajonal që duhet të shfrytëzohen për të adresuar rreziqet e sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike.
Qysh më vitin 1975, Akti Përfundimtar i Helsinkut e njohu nevojën për bashkëpunim mbi ndryshimet klimatike si pjesë e qasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së për paqen dhe sigurinë. Sipas Vuk Zhugiq, koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, proceset konsultative të tilla si këto kanë një rëndësi të madhe për adresimin e ndikimeve të ndryshme të ndryshimeve klimatike në zonën e OSBE-së.
“Ne jemi mirënjohës të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces rajonal konsultimi. Shumë prej pjesëmarrësve ishin gra që krijuan bazat për rezistencën ndaj klimës në rajon. Në hapat tanë të ardhshëm, ne kemi nevojë për një angazhim të fortë të grave dhe burrave, duke përfshirë të rinjtë, për të zhvilluar dhe zbatuar masa bashkëpunimi që do të kontribuojnë më tej në sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha Zhugiq.
Ky raport është pjesë e projektit të OSBE-së “Përforcimi i përgjigjes së sigurisë ndaj ndryshimeve klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, financuar nga Andorra, Austria, Çekia, Gjermania, Italia, Lihtenshtajni, Luksemburgu dhe Norvegjia, thuhet në kumtesë.