Në Shkup edhe zyrtarisht do të fillojë ndërtimi i transportit publik të ri, të shpejtë dhe të qëndrueshëm, pasi sot Ministria e Financave, Qyteti i Shkupit dhe Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) e nënshkruan Marrëveshjen për hua për realizimin e projektit për transport Bas Rapid Tranzit në shumë prej 70 milionë euro.
Me transportin e ri pritet drejtpërdrejtë të ulet trafiku i komunikacionit, ndërsa me këtë edhe ndotja e ajrit në pjesën e komunikacionit.
Projekti përfshin vendosjen e dy linjave me korridore të rezervuara vetëm për autobusët edhe atë nga Gjorçe Petrovi në Lisiçe të Re dhe nga Buteli në Kisella Vodë. Traseja nga Gjorçe Petrovi në Lisiçe të Re do të jetë në gjatësi prej 12,80 kilometrash në një drejtim, do t’i ketë 12 stacione, dy terminale – terminali ekzistues në zonën industriale në Gjorçe Petrov dhe në lagjen Lisiçe e Re, ku do të ndërtohet terminal i ri.
Sipas vlerësimeve të para, numri i përgjithshëm i udhëtarëve të cilët e përdorin këtë trase është rreth 65 mijë njerëz në ditë.
Me implementimin e fazës së parë pritet kohëzgjatja e udhëtimit prej 70 minutave aktuale të ulet për më shumë se 50 për qind, të rritet frekuenca e autobusëve në çdo 34 minuta në stacion autobusi.
Projektin do ta implementojë Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në konferencën e sotme për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi se me këtë procedurë po realizohet dhe zhvillohet ëndrra e kahmotshme 40-vjeçare e shkupjanëve.
Ai informoi se koha e nevojshme që një automjet ta kalojë trasenë nga Gjorçe Petrov në Lisiçe të Re dhe anasjelltas do të jetë 35 minuta. Autobusët, të cilët janë me motor hibrid të gazit dhe energji elektrike, janë me gjatësi prej 18 metrash. I gjithë sistemi është vendosur në mënyrë që në të ardhmen do të mund ta përdorë edhe automjet në gjatësi prej 24 metrash.
Shkupi është qyteti i parë në Ballkan i cili do ta zbatojë këtë sistem, që, sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit, nuk është vetëm sukses i Qytetit por edhe i mbarë shtetit tonë.
Rritja e shpejtësisë, por edhe qasja në transportin publik, sipas Shilegovit, pa dyshim do të thotë edhe rritje e numrit të udhëtarëve të cilët e përdorin transportin publik në Shkup.
“Ekipet e Qytetit të Shkupit dhe të Ndërmarrjes Publike për Qarkullim (NPQ) deri më tani kanë punuar në dokumentacionin teknik për këtë sistem. Zgjidhja ideore e komunikacionit tashmë është përpunuar nga ekspertë nga Manastiri, Shkupi, Baogradi, Londra dhe Brukseli dhe do të paraqesë bazë për dokumentacionin e tenderit i cili shpejtë pres se do ta fillojmë gjatë kësaj vere”, tha Shilegov.
Në kuadër të BERZH ky projekt është nostrifikuar si “projekt i gjelbër” dhe financohet në kuadër të rrjetit të qyteteve të gjelbra, anëtar i së cilit është edhe Shkupi nga viti 2019 kur gjegjësisht ka filluar kjo procedurë.
“Gëzohem se kjo në njëfarë mënyre është implikim i politikave ekologjike të cilat i krijojmë si administratë e qytetit dhe që pas disa dekadave përfundimisht do të fillojë të implementohet ky projekt strategjik për qytetin tonë”, shtoi kryetari i Qytetit të Shlupit.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se veçori e çdo qyteti – metropoli është të ketë rrjet të mirë dhe të zhvilluar transporti i cili ofron transport të shpejtë dhe efikas midis të gjitha pikave të lëvizjes.
“Zhvillimi i qytetit në kuptimin demografik, në atë socio-ekonomik dhe hapësinor, e imponon nevojën e vendosjes së zgjidhjeve të reja të komunikacionit dhe transportit të cilat do të mundësojnë transport më efikas të qytetarëve. Projekti transport i shpejtë i autobusëve në Qytetin e Shkupit është sistem i ri i komunikacionit përmes së cilit e përmirësojmë efikasitetin dhe ekonomizimin e rrjetit të transportit”, tha Boçvarski.
Ai sqaroi se si Ministri e Transportit dhe Lidhjeve do të sigurojnë infrastrukturë përkatëse, përmes së cilës ky koncept i transportit do të ndikojë mbi përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi në konferencën e sotme për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se kur nismat për krijimin e ekonomisë “së gjelbër” më inkluzive dhe të qëndrueshme do të përkojnë me angazhimet për rikuperim ekonomik nga kriza me Kovid-19, përfitimet për ekonominë e Maqedonisë janë të shumëfishta.
“Sot me Bankën Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim kemi nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për financimin e projektit për “Vendosjen e transportit të shpejtë të autobusëve në Qytetin e Shkupit”, i cili për kënaqësinë time është në pajtim me orientimin tonë ndaj ekonomisë së gjelbër, e cila promovon investime që sjellin përfitime të shumta ekologjike”, tha Besimi.
Më pas, siç tha ai, projekti do ta përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve përmes zvogëlimit të kohës së nevojshme për udhëtim, përmes përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe përmes uljes së emetimeve të gazrave ë qelqta, si një prej problemeve më të mëdha për Qytetin e Shkupit.
Besimi theksoi se do të vihen dy linja për transport të shpejtë me autobus në Qytetin e Shkupit, me ç’rast do të bëhen korridorerrugore që do të rezervohen vetëm për autobusët, gjegjësisht korsitë e autobusëve në mes apo në skaj të bulevardeve. Më pas furnizohen autobusët hibridë që punojnë me gaz të kompresuar natyral.
Andi Aranitasi, përfaqësues i BERZH-it për Maqedoninë e Veriut, deklaroi se projekti do t’i mbështesë angazhimet e Qytetit në përballjen me sfidat e transportit publik në mënyrë më efikase dhe të strukturuar, përmes përgatitjes dhe implementimit të planit të qëndrueshëm urbanistik të mobilizimit, i cili do të çojë drejt përmirësimit të transportit publik dhe do ta bëjë më atraktiv, me qëllim që të ulet përdorimi i automjeteve private.
“Përballimi me ndotjen në Shkup është prioritet dhe e përshëndesim përkushtimin e autoriteteve për aksion të vendosur dhe të shpejtë, ku BERZH qëndron i përgatitur për mbështetje të plotë, që dëshmohet edhe me nënshkrimin e sotëm të këtij projekti”, tha Aranitasi.
Për realizimin e këtij projekti Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim do të ndajë hua në shumë prej 70 milionë euro në dy transha, gjegjësisht transha e parë në shumë prej 47,6 milionë euro për financimin e linjës 1 – nga lindja në perëndim dhe transha e dytë në shumë prej 22,4 milionë euro për financimin e linjës 2 nga jugu në veri.
Afati i pagesës ës transhës së parë dhe të dytë të huasë është 15 vjet me grejs periudhë të kyçur prej katër vitesh. Norma e interesit është e ndryshueshme dhe përbëhet prej EURIBOR-it gjashtëmujor të rritur për 1 për qind.