Nevojiten ndryshime urgjente të Kodit Penal në drejtim të harmonizimit të tij me Konventën e Stambollit gjegjësisht inkriminim të formave të ndryshme të dhunës në bazë gjinore, përfshirë edhe femicidin si formë më e rëndë të dhunës në bazë gjinore ndaj gruas, thonë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, si reagim pas vrasjes së djeshme të gruas në Strugë nga ana e bashkëshortit të saj.
Vrasja e gruas sepse është grua, gjegjësisht femicidi, thonë nga Komiteti i Helsinkit, përfaqëson formën më të rëndë të dhunës ndaj gruas dhe është një nga shkaqet për vdekjet e hershme te gratë në nivel global.
“Shumë shpesh e shkaktuar nga ana e personit me të cilin viktima është në marrëdhënie partneri. Duke pasur parasysh se femicidet nuk janë dukuri e rrallë, ndërsa në vendin tonë shumë shpesh janë rezultat i mosdenoncimit të dhunës familjare ose të veprimit joadekuat të institucioneve relevante, nevojitet që të përcaktohet nëse në këtë rast i kanë paraprirë denoncime për dhunë familjare”, theksohet në kumtesën e Komitetit të Helsinkit.
Prej atje përkujtojnë se në janar të këtij viti Kuvendi i RMV-së e miratoi Ligjin e ri për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, i cili do të fillojë të zbatohet nga 6 maji i këtij viti.
“Ky ligj përfaqëson një nga ligjet kyçe i cili ishte paraparë me Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit 2018-2023. Ajo që pritet me miratimin e këtij ligji është se dukshëm do të përmirësohet mbështetja institucionale dhe gjithëpërfshirëse e viktimave të dhunës në bazë gjinore. Prej këtu, nevojiten ndryshime urgjente të Kodit Penal në drejtim të harmonizimit të tij me Konventën e Stambollit gjegjësisht inkriminim të formave të ndryshme të dhunës në bazë gjinore, përfshirë edhe femicidin si formë më e rëndë e dhunës në bazë gjinore ndaj gruas, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.