Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk do të porosisë doza shtesë të vaksinës nga Instituti për Virusologji dhe Serume “Torllak” nga Serbia i cili do ta prodhojë vaksinën ruse Sputnik V, as nga ndonjë prodhues tjetër, pasi siç tha tashmë janë siguruar 2 milionë e 600 mijë doza.
“Neve në këtë moment nuk na duhet porositje e vaksinave pasi në pajtim me planin siç është dimensionuar dhe të gjitha marrëveshjet e deritanishme i kemi siguruar 2 milionë e 600 mijë vaksina. Nga 800 mijë vaksina duhet të vijnë përmes sistemit Kovaks dhe marrëveshjes së drejtpërdrejt me “Fajzerin”, më pas nga 200 mijë vaksina ruse dhe kineze, 100 mijë vaksina që duhet të vijnë si ndihmë nga sistemi i solidaritetit përmes Bashkimit Evropian dhe 500 mijë vaksinat Sinovak të cilat duhet të vijnë deri në maj. Këtu procesi përmbyllet”, tha Filipçe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në pikën e vaksinimit në sallën Boris Trajkovski.
Ai theksoi se ka pasur takim me drejtoreshën e Institutit “Torllak”, e cila ka treguar për mundësitë dhe planet e tyre.
“Na thanë se krahas asaj që prioritet për ta do të jetë vendi dhe qytetarët e tyre, prioritet do të jenë edhe vendet fqinje të Serbisë që vlerësoj se është politikë e mirë. “Torllak” është fabrika e vetme në botë e farmacisë në rajon e cila ka mundësi për prodhimin e sterilizuar të atyre ampulave në paketim sikurse vaksinat. Nuk ekziston asnjë kompani tjetër që mund ta bëjë këtë”, tha Filipçe.
Në institutin “Torllak” në Beograd, Serbi dje filloi prodhimi i vaksinës ruse “Sputnik V” kundër koronavirusit.