Në Kuvend sot paradite filloi takimi ndërmjet kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarëve të partive politike opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.
Ky është takimi i dytë i Zaevit me përfaqësues të opozitës shqiptare – ASH dhe Alternativa. Në takim krahas Zaevit, merr pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arianit Hoxha.
Në takim duhet të bisedohet për ligjin për shtetësinë dhe zgjidhjen e problemit me mospasjen e shtetësisë së disa qytetarëve, si dhe për zhbllokimin e punës së Kuvendit.
Zgjidhja e çështjes së shtetësisë do të kontribuonte edhe në zhbllokimin e Kuvendit nga mijëra amendamente të cilat i parashtroi koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Para dy javëve, kryeministri Zaev bashkë me disa ministra u takua me koordinatorin e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Skender Rexhepi dhe me zëvendësen e tij në lidhje me ligjin për shtetësi, që ishte shkak për bllokim të njëzetë ligjeve në Parlament. Atëherë edhe Zaevi edhe Rexhepi thanë se ka optimizëm për zgjidhjen e kësaj çështje.