Kryeministri Zoran Zaev pret që në fillim të javës së ardhshme të gjendet një zgjidhje për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shtetësinë, të propozuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Ai deklaroi se shumë nga dilemat në lidhje me ndryshimet e ligjit janë zgjidhur dhe detajet duhet të përpunohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë.
“Vendi ynë me ndërhyrjen në Ligjin për shtetësi në vitin 2004, në dispozitat kalimtare, ofron një mundësi me të cilën qytetarët, të cilët janë pa shtetësinë tonë dhe nuk kanë shtetësi tjetër, e marrin atë. Kjo ka përfunduar dhe mendoj se bëhet fjalë për rreth 5000 qytetarë. Tani, sipas Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, ka rreth 1.500 qytetarë pa shtetësi. Por, sipas të dhënave të Drejtorisë së Regjistrimit, bëhet fjalë për 750 qytetarë. Besoj se nuk mund të ketë më shumë se 1500 deri në 2000. Por, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për një person, ne duhet ta përfundojmë punën”, tha Zaev.
Ai theksoi se i vjen keq që në Kuvend, është bllokuar Ligji për menaxhimin e krizave, ndërsa afati për ekzistencën e gjendjes së krizës skadoi mbrëmë.
“Sot është dita e fundit që Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria të gjejnë një zgjidhje ligjore. Sepse, me tërheqjen e Armatës nga kufijtë jugorë dhe veriorë, rruga e refugjatëve do të hapet, e cila do të jetë problem për Republikën e Maqedonisë së Veriut, rajonin dhe Evropën”, tha Zaev.