Grup i ri prej 124 kërkesave është miratuar nga linja e tretë e kredive pa interes me grant komponentë e cila realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, përmes aktivitetit të “BEpërRezistencë” nga programi IPA.
Nga Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut sot njoftuan se janë miratuar 1,4 milionë euro për këto kërkesa për kredi nga linja e kredive pa interes Kovid 3.
Deri më tani, nga linja e kredive, për të cilën janë paraparë mjete prej 31 milionë euro, gjithsej janë miratuar 2.583 kërkesa për kredi me vlerë prej 29,3 milionë euro. Këto kërkesa i kanë përmbushur kushtet nga thirrja publike e publikuar më 7 dhjetor të vitit të kaluar.
Numri më i madh i kërkesave janë nga kompani të vogla (1.368), pas çka vijojnë mikrokompanitë me 999 kërkesa për kredi, tregtarët individual me 164 dhe zejtarët me 52 kërkesa për kredi.
Pjesa më e madhe e kërkesave të miratuara për kredi, vijnë nga Rajoni i Shkupit edhe atë 32 për qind. Vijojnë Rajoni i Pollogut me 15 për qind, ai Juglindor me 12 për qind dhe Rajoni Jugperëndimor me 11 për qind. Rajoni Lindor dhe ai i Pellagonisë dhe Rajoni Verilindor me pesë për qind nga kërkesat e miratuara për kredi.
“Kërkesat për kredi përpunohen në mënyrë kronologjike, sipas kohës së arritjes, sipas Thirrjes publike dhe informacioneve të theksuara në të. Miratimi i kërkesave për kredi do të bëhet në grupe, derisa nuk shtjerrën mjetet që janë në dispozicion të Fondit për Ndërmarrje Mikro dhe të Vogla”, thonë nga Banka Zhvillimore.