Autoritetet shëndetësore presin që sasi më të mëdha të vaksinave kundër KOVID-19 në vend të mbërrijnë në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër. Ata sigurojnë që të gjitha vaksinat që hyjnë dhe do të hyjnë në vend janë dhe do të jenë të sigurta. Mungesa e vaksinave, thonë, po ndihet kudo dhe është rezultat i një kërkese shumë më të lartë sesa oferta. Sistemi Kovaks pritet të jetë funksional deri në fillim të muajit tjetër, përmes të cilit do të mbërrinin rreth 100.000 vaksina. Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir pajtohet që shpërndarja e vaksinave nuk është në nivelin e dëshiruar, por ai gjithashtu shpreson që mekanizmi Kovaks do të funksionojë si duhet. Gir thotë se BE dëshiron që vaksinat të sigurohen që nga fillimi, por që detyra është edhe më e vështirë për shkak të numrit gjithnjë në rritje të të infektuarve.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi dje se vaksina AstraZeneka, por edhe të gjitha vaksinat e tjera që hyjnë dhe do të hyjnë në vendin tonë janë të sigurta për qytetarët. Siç theksoi ai, një ekip ekspertësh i ndjek të gjitha njoftimet nga agjencitë kombëtare të barnave dhe do të drejtohet vetëm nga rekomandimet zyrtare. Ai theksoi se nuk ka fare problem që të vaksinohet personalisht me vaksinën AstraZeneka.Filipçe informoi se për sot është caktuar takim i Komitetit për Siguri të EMA-s, më saktë të Agjencisë Evropiane për Ilaçe, ku do të analizohen rastet e padëshirueshme lidhur me AstraZenekën, për të cilat siç tha, janë në të vërtetë pak lidhur me numrin e përgjithshëm të vaksinave të cilat janë dhënë.
“Të gjithë ekspertët e ekipit tonë i ndjekin edhe efektet anësore nga ana e kësaj vaksine, vendimet e agjencive kombëtare, ndërsa do të udhëhiqemi gjithsesi sipas rekomandimeve zyrtare si të EMA-s, ashtu edhe të prodhuesit”, shtoi ministri.
Deri në fillim të muajit të ardhshëm, siç informoi, pritet të funksionojë sistemi Kovaks përmes të cilit do të mbërrinin rreth 100.000 vaksina, duke shtuar se po bisedohet edhe me përfaqësues kinezë dhe ruse për vaksinat, priten paralajmërimet e tyre, edhe pse siç tha, ende nuk ka date konkrete.
Kryeministri Zoran Zaev është gjithashtu i bindur se një sasi më e madhe e vaksinave do të mbërrijë në vend deri në fund të këtij muaji dhe në fillim të muajit të ardhshëm.
“I presim vaksinat kineze ka mundësi që të arrijnë, personalisht shpresoj se në mënyrë shtesë do të na ndihmojë Ambasada kineze dhe lidhjet tona me Kinën, që të munden ato 200.000 vaksina, të cilat janë të porositura, protokollet e nënshkruara të arrijnë deri në fund të muajit. Sepse e presim edhe në vizitë ministrin kinez të Mbrojtjes, prandaj do të ishte e nevojshme që të bëjnë përpjekje shtesë që të arrijnë vaksinat nga Kina”, theksoi Zaevi.
Theksoi se ambasadori rus dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe janë plotësisht të përkushtuar për sigurimin e sasive të ardhshme të vaksinës ruse “Sputnik V”, e që ka të bëjë me vaksinat e porositura nga BE-ja, Zaevi tha se kanë marrë udhëzime që të bëhen ndryshime në Ligjin për sigurimin e fondit garantues në vend, për pasoja eventuale nga vaksinat që të mundet të përshpejtohet procedura edhe nga BE-ja.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir nga Tetova tha se shpërndarja e vaksinave nuk është në nivelin e dëshiruar, por beson se mekanizmi Kovaks do të funksionojë si duhet.
“Duke e pasur parasysh se edhe brenda BE-së vendet anëtare kanë vështirësi me programet e shpërndarjes së vaksinave, numri i rasteve të reja po rritet dhe kjo e bën punën edhe më të vështirë. Le të mos harrojmë se BE-ja gjithashtu vepron në bazë të sistemit të solidaritetit dhe në këtë kontekst sistemi dhe mekanizmi Kovaks do të funksionojnë në mënyrë që Unioni të vazhdojë ta japë mbështetjen e tij në kontekstin e vaksinave, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ky është me të vërtetë një proces shumë i gjatë. Vendi juaj gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e BE-së”, theksoi Gir.
Nga ana tjetër, opozita ka vërejtje të shumta në lidhje me vonesën e vaksinave në vend. Ajo kërkon përgjegjësi nga qeveria për jetën e humbur dhe menaxhimin e keq dhe në atë drejtim paralajmërpo interpelancë për Ministrin e Shëndetësisë Venko Filipce, duke theksuar se për këtë ka marrë mbështetje nga partitë e tjera të opozitës.
“Shpresoj që kryetari Xhaferi ta vendos interpelancën në rendin e ditës sa më shpejt të jetë e mundur, sepse vlerësojmë se numri i të infektuarve, numri i qytetarëve të vdekur fatkeqësisht, numri i të papunëve që u krijuan në vend si rezultat i menaxhimit të keq të pandemisë dhe vrapimi në provizione me kompani fantazmë nga Hong Kongu në vend të urnizimit të vaksinave për imunizimin e popullsisë janë arsye të mëdha që një ministër të japë dorëheqje vetëm ose nëse nuk është i virtytshëm ta bëjë këtë, atëherë deputetët dhe Kuvendi duhet të votojnë mosbesim për të”, tha dje deputeti nga VMRO-DPMNEn Antonio Miloshoski.
Në pritje të mbërritjes së vaksinave ndjeken edhe rekomandimet e vaksinimit dhe gjetjet e reja. Megjithëse kërkohen dy doza për të arritur imunitetin e plotë ndaj KOVID-19 nga shumica e vaksinave, sipas rekomandimeve të ekspertëve, njerëzit që janë sëmurë nga Kovid-19 mund të vaksinohen me një dozë të vetme të vaksinës.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me faktin se personat që iu nënshtruan Kovid-19 nuk janë në planin e imunizimit, me shpjegimin se ata kanë antitrupa, vuri në dukje se plani është fleksibël dhe mund të ndryshohet në përputhje me rekomandime të reja dhe disponueshmëria e vaksinave, si dhe se është duke u shqyrtuar mundësia e marrjes së certifikatave për ato persona, si garanci se kanë imunitet, nëse u duhet të udhëtojnë dhe t’i përmbushin detyrimet e tyre profesionale.“Po e presim vendimin zyrtar nga ana e Komisionit evropian, së pari nëse do të kërkohet një certifikatë e tillë, si do të jetë ajo certifikatë, e cila do të vlejë çdo kund në Evropë, e më pas jemi të gatshëm të bëjmë edhe certifikata të tilla në mënyrë që të mund t’u shërbejnë qytetarëve”, shtoi Filipçe.
Komisioni evropian dje e shqyrtoi propozimin për vendosje të “certifikatës digjitale shëndetësore” për qytetarët e BE-së të cilët udhëtojnë në kuadër të Unionit, që do të përmbajë informata për atë nëse ndonjë person është vaksinuar me vaksinë për koronavirus miratuar nga Agjencia evropiane për medikamente, ka përfituar imunitet pasi që është shëruar nga Kovid-19 apo ka bërë PCR test.
Ajo “certifikatë shëndetësore”, siç cekën përfaqësues të KE-së, është dedikuar për qytetarët e vendeve të BE-së, ndërsa kur bëhet fjalë për udhëtarë nga Ballkani Perëndimor dhe pjesë të tjera të botës, Komisioni më vonë do të bisedojë me Organizatën botërore të shëndetësisë dhe me Organizatën për fluturime ndërkombëtare civile për atë se çfarë lehtësime mund të vendosen edhe me zbatim të standardeve teknike, interoperative dhe ndërkombëtare.