Rënie prej 2,7 për qind e punësimit dhe rënie prej 4,5 për qind e BPV-së, si dhe rritja e pabarazisë në mes grupeve të të ardhurave, janë pasojat e krizës KOVID në vitin 2020, tregojnë të dhënat e raportit të fundit të Shoqatës për Hulumtime dhe Analiza (ZMAI) që u prezantua sot në panelin e diskutimit “Pabarazia në kohën e koronës”.
Ekspertët parashikojnë që ekonomia do të lëvizë në një drejtim pozitiv këtë vit, por rritja e BPV-së siç ishte para krizës do të arrihet në vitin 2022 me politika më të mira publike dhe shpenzime më të përshtatshme, në fakt zbatim të investimeve kapitale.
Sipas ekspertëve, masat që janë të orientuara drejtë mbrojtjen e vendeve të punës kanë dhënë efekt.
Raporti gjithashtu tregon se ndihma shtetërore ndahet proporcionalisht, në varësi të madhësisë së kompanive, megjithëse ato tregojnë fitime të ndryshme në varësi të rajonit në të cilin ndodhen dhe ka ndryshime të konsiderueshme. Industria e tekstilit mori mbështetjen më të madhe, rreth 11 për qind të gjithsej mjeteve të parashikuara, ndërsa mbështetja efektive është më e madhja në pakicë dhe shumicë.
“Rënia e BPV-së në vitin 2020 është 4,5 për qind. Kjo rënie mund të ishte më e keqe nëse në tremujorët e tretë dhe të katërt konsumi publik nuk përmirësohej dhe rritej në mënyrë drastike. Duke qenë se shpenzimet publike ishin të vetmet që u rriten vitin e kaluar, të gjithë faktorët e tjerë që përcaktojnë BPV-në shënuan rënie të ndjeshme. Rënia e punësimit është 2,7 për qind dhe është më e ulët se rënia e BPV-së, që do të thotë se disa nga masat që synojnë ruajtjen e vendeve të punës dhanë efekt, pra zvogëluan pasojat e krizës”, tha Viktor Mitevski, një nga themeluesit e ZMAI.
Sipas tij, indeksi që e mat pabarazinë në dy tremujorët e parë të vitit 2020 u rrit me 3,5 pikë përqindje.
Sidoqoftë, edhe grupe më të mëdha të të ardhurave kanë ulje të ndjeshme të të ardhurave.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, e vlerësoi analizën si të shkëlqyeshme dhe tha se do të ishte udhërrëfyes për hartimin e politikave dhe mënyrën se si institucionet duhet të bashkëpunojnë me sektorin civil.