Është më mirë që një kohë më të shkurtër të kemi masa kufizuese, sesa të kemi ngarkesë të plotë të sistemit shëndetësor, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Duke e komentuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për vendosje të orës policore, që sot duhet ta shqyrtojë Qeveria, Spasovski tha se masat restriktive janë kufizuese, por të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Vendimet që duhet t’i marrim, askush nuk i dëshiron, por ato janë rezultat i sjelljes së të gjithë neve. Nëse nuk i respektojmë rekomandimet, nëse nuk mbajmë maskë mbrojtëse, nëse grupohemi dhe bëjmë ngjarje që sigurisht nënkuptojnë përhapjen e virusit, atëherë shteti duhet të reagojë në një moment”, theksoi Spasovski në një deklaratë për media pasi promovoi qendrën e trajnimit për ndihmë të parë në Shkup.
Nuk dëshironte të paragjykonte se cili do të ishte vendimi përfundimtar që do të merret nga Qeveria dhe si do të zbatohet, por u bëri apel të gjithë qytetarëve që të respektojnë rekomandimet.
“Ata qytetarë që tani reagojnë ndaj miratimit të masave kufizuese, ata do të reagojnë shumë më tepër në momentet kur ka një infeksion të përhapur në popullatë”, tha Spasovski në lidhje me reagimet e publikut për mundësinë e rivendosjes së orës policore.