Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani mbrëmë në emisionin “Klik plus” në TV21 deklaroi se bullgarët në vend duhet të ndjehen si qytetarë të lirë, të cilët i kanë të gjitha të drejtat.
“Bullgarët në Maqedoninë e Veriut duhet të ndjehen si qytetarë absolutisht të lirë të cilët mund të organizohen si bashkësi kolektive, dhe do t’i kenë gjithë të drejtat, nëse ka nevojë edhe përmendjen e tyre në Kushtetutë”, thotë Osmani.
Në pyetjen e gazetarit se në këtë rast do të duhet të ndryshohet Kushtetuta, Osmani u përgjigj se nuk ka rezerva të përmenden si bashkësi e veçantë etnike.
“Nuk kemi kurrfarë rezerve të përmenden si bashkësi e veçantë etnike, nëse kjo ka rëndësi në cilëndo anë”, tha Osmani.
Në pyetjen nëse Bullgaria ka kërkuar diçka të tillë, thotë jo. “Unë nuk kam dëgjuar. Nuk kanë kërkuar diçka të tillë. Nuk kemi biseduar për këtë”, shtoi Osmani.
Osmani të mërkurën, në lidhje me reagimet për të drejtat e bashkësisë lokale në Maqedoninë e Veriut, kërkoi përfaqësuesit e shoqatave bullgare në vend t’i kontaktojnë organet registruese dhe të kërkojnë kolonë përkatëse në suaza të regjistrimit, me qëllim, siç tha, konfirmim të shpërndarjes kuantitative, demografike dhe gjeografike të kësaj bashkësie, që sipas tij, mund të kontribuojë dukshëm gjatë formimit të politikave të ardhshme dhe të Qeverisë.
Në këtë ka reaguar drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë Apostol Simovski, i cili në deklaratë për MIA-n tha se në të gjitha regjistrimet prej “48 e këndej ka pasur kod për përkatësinë etnike bullgare. “Kemi të dhëna në lidhje me atë përkatësi etnike dhe do të ketë edhe më tutje. Kush si do të deklarohet është vetëm e drejtë e tij dhe ne nuk kemi të drejtë të ndikojmë”, tha Simovski të mërkurën.
Të hënën presidenti bullgar Rumen Radev konvokoi mbledhje me shefat e shërbimeve të sigurisë, për kinse morespektimin e të drejtës së vetëpërcaktimit të bullgarëve në vend, në të cilën ashpër reaguan autoritetet e Maqedonisë se kjo është përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Presidenti Stevo Pendarovski tha se reagimi i presidentit bullgar është në kundërshtim me parimin bazë në politikën ndërkombëtare për mospërzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe se deri tani te ai nuk ka arritur asnjë informacion nga institucionet kompetente për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e qytetarëve të Maqedonisë, vetëm sepse e kanë deklaruar përkatësinë e tyre etnike.
Kryeministri Zoran Zaev, sërish, tha se është e palejueshme përzierja e një vendi në punët e brendshme të një vendi tjetër dhe me vendosmëri ka mohuar se shtetasit e Maqedonisë së Veriut janë ekspozuar në sulme vetëm sepse identifikohen si bullgarë dhe se qytetarët e vendit janë të barabartë në të drejtat e tyre. “E palejueshme është përzierja e një vendi në tjetrin. Ne këtë e kemi deklaruar në Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë. Dhe jo vetëm këtë, në biseda shkojmë edhe më tutje për mospërzierje të pakicave, sepse kjo zgjidhet pranë Këshillit të Evropës, përmes Gjykatës së Këshillit të Evropës dhe atje zgjidhen gjithë këto të drejta. Por, definitivisht, as nuk ka nevojë, as nuk duhet të shkojnë në gjykata, sepse nëse ndonjë qytetari i është hequr ndonjë e drejtë, ose nuk janë të barabarta të drejtat e tyre me qytetarët tjerë në Maqedoninë e Veriut, qëndrojmë si institucion në dispozicion”, tha Zaev.