Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe ka konfirmuar se paradhënia për vaksinat kineze kundër Kovid-19 është tërhequr, duke shtuar se ajo është bërë për sigurinë tonë. Filipçe ka theksuar se edhe krahas kësaj, bisedimet për këto vaksina janë në fazën përfundimtare dhe së shpejti do të arrijnë në vend.
“Atë e kemi bërë për sigurinë tonë, kuptohet. Assesi nuk do të thotë se nuk do të arrijnë vaksinat, por me atë që vetë procesi ka zgjatur më shumë nga ajo që ne e planifikuam në fillim, më tej janë kërkuar më shumë dokumente shtesë, diçka që ndodhë praktikisht me të gjitha vendet dhe shumë shpesh rreth kësaj na njoftojnë. Është kthyer një pjesë e mjeteve, por me të vërtetë negociatat tani këtyre ditëve dhe gjatë fundjavës më duket se janë në fazën përfundimtare dhe mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë dhe me të vërtetë vaksinat shumë shpejt do të arrijnë në vendin tonë”, ka thënë Filipçe në deklaratën për televizionin Kanal 5.
Lidhur me vaksinat nga mekanizmi Kovaks, ministri Filipçe ka thënë se prej atje për muajin mars janë paralajmëruar 20 deri 30.000 vaksina nga AstraZeneka. Filipçe ka theksuar se intensivisht është biseduar edhe me prodhuesin e vaksinës ruse Sputnik V ku beson se gjatë kësaj jave do te kemi edhe të dhëna konkrete. Poashtu priten edhe informacione nga përfaqësitë e Fajzerit dhe se draft marrëveshja do të arrijë.
“Ai ka qenë komunikim intensiv për shkëmbim të dokumenteve të shumta ashtuqë mendoj se ai proces me të vërtetë është rrumbullakuar dhe ajo që pritet tani në pjesën e vaksinës nga Fajzer është të arrijë draft marrëveshja nga zyra e avokatëve të kësaj kompanie në Nju Jork”, ka thënë Filipçe.
Ministri ka thënë se kompanitë kanë kërkesa të tyre nga pranimi, përgjegjësitë në pjesën e vaksinës dhe se ai është proces që vlen për secilin vend në botë.
Sistemi jonë shëndetësor, sipas Filipçes është i gatshëm për vaksinimin e popullatës dhe tani për tani vaksinimi zbatohet në mënyrë të shkëlqyeshme.
“Rreth 2.400 punonjës mjekësor tashmë janë vaksinuar dhe ai numër nga java e ardhshme do të arrijë 4.000, pra do të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësor që punojnë me pacientët me kovid”, ka thënë ministri Filipçe.