Një grup qytetarësh nga Kumanova të udhëhequr nga familja e të ndjerit Almir Aliu, në protestën e sotme para Gjykatës Themelore në Kumanovë kanë kërkuar që rasti i “Almirit” të kthehet në shqyrtim të sërishëm, kompensim dhe lirimin e anëtarëve të familjes Aliu.
Në protestë fjalim mbajti Fuat Aliu i cili tha se qytetarët po e shprehin revoltën e tyre kundër vendimit të gjykatës.
“U mblodhëm këtu sot për ta shprehur mllefin tonë qytetar dhe kombëtar kundër vendimit të gjykatës, e cila në vend që ta dënonte Boban Iliqin, me dënim maksimal me burg e dënoi Abdullah dhe Sedat Aliun me burg për dhunë, babanë dhe xhaxhain e Almir Aliut si dhe Sami Demirin. Gjegjësisht, kjo gjykatë i dënoi me burg dy persona që ishin viktima të një sulmi në të cilin ata humbën një fëmijë të mitur, ndërkohë agresori ose më saktë thënë vrasësi, në vend që të dënohet për vrasje, dënohet për aksident automobilistik. Nëse nuk do ta kishim llogaritur kohën, do të kishim menduar se jemi në vitet 1985-89″, tha Fuat Aliu”, përfaqësues i familjes.
Në protestë u kërkua – drejtësi dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe lirimi i Sami Demirit dhe Sedat Aliut nga aktakuza, rasti i Almirit të kthehet përsëri në shqyrtim, Iliq të dënohet për vrasje me paramendim, jo për një aksident automobilistik. Familja gjithashtu do të kërkojë zhdëmtim për humbjen e djalit të tyre. Pjesëmarrësit në protestë thanë se në këtë mënyrë ata i drejtohen pushtetit ekzekutiv, kryeministrit, partnerëve shqiptarë të koalicionit të mos lejojnë, siç theksoi Aliu, “politizimin dhe etnizimin e gjykatave”. Në protestë u tha që në këtë mënyrë ata i bëjnë thirrje edhe Ambasadës së SHBA-së, Misionit të BE-së, OSBE-së të ndihmojnë për vendosjen e drejtësisë. Pjesëmarrësit paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta.