Disa nga veprimtaritë duhet “të tërhiqen” nga zgjidhja ligjore për e diel ditë jopune, e pikërisht puna e qendrave tregtare dhe turistike është prioritet strategjik i shtetit tonë dhe duhet të punojnë edhe të dielën, thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Duke e marrë parasysh trendin e ndërtimit të qendrave tregtare, investimet të cilat bëhen në këtë veprimtari dhe ardhja e turistëve të huaj në fundjavat në shtetin tonë, e posaçërisht nga shtetet fqinje, mendoj se shumë me kujdes duhet të shqyrtohet kjo çështje dhe qendrat tregtare duhet të punojnë edhe të dielën”, tha Bekteshi në përgjigje të pyetjes në pres konferencën e sotme në Qeveri.
Në pajtim me analizën e Ministrisë së Ekonomisë, siç tha ai, të dielën do të duhej të punojë edhe tregtia me pakicë, ndërsa në pjesën e tregtisë me shumicë, disa veprimtari të caktuara mund të mos punojnë të dielën.
“Te ato veprimtari që do të punojnë të dielën, mëditjet e të punësuarve duhet të rriten për së paku 50 për qind nga mëditjet e rregullta”, tha Bekteshi.
Ministri potencoi se me siguri shumica e veprimtarive në shtet nuk do të punojnë të dielën, por për tërheqjen e turistëve, siç tha, gjithsesi se qendrat turistike duhet të punojnë edhe të dielën.
“Ato veprimtari, të cilat ndikojnë në tërheqjen e turistëve dhe në zhvillimin e turizmit, gjithsesi se do të përjashtohen nga zgjidhja ligjore për e diel ditë jopune, që u paralajmërua nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale”, saktësoi Bekteshi.