Kudo ku ka përmbajtje të cilat ofendojnë, lëndojnë ose që nuk janë të përshtatshme, duhet t’i tërheqim dhe do t’i heqim, tha kryeministri Zoran Zaev lidhur me tekstin shkollor të Gjeografisë për vitin e dytë të arsimit të mesëm i cili do të tërhiqen pas reagimeve se ka përmbajtje ofenduese për shqiptarë.
“Mora informacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për ndryshimin e teksteve shkollore që përgatiten për vitin e ardhshëm shkollor, do të ndryshojë edhe teksti shkollor i Gjeografisë, i cili ekziston nga viti 2002 ose 2006, por problemi për herë të parë është parë në vitin 2018 dhe vjen për ndryshim pikërisht tani”, tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska dhe ish-ministri Arbër Ademi, dje në takim pune me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi kanë biseduar për konceptin e reformave në arsim dhe për Ligjin për tekste shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm.
Siç informoi Kabineti i Grubit, të tre bashkëbiseduesit gjithashtu u dakorduan se në pajtim me Ligjin për tekste shkollore për arsim fillor dhe të mesëm, të gjitha parregullsitë dhe padrejtësisë në të gjitha tekstet shkollore duhet të kontrollohen dhe korrigjohen, duke filluar menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të arsimit të mesëm. Në rastin konkret, me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me
librat e tjerë, do të zbatohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor ku thuhet se “tërheqja e teksteve shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Tërheqje të librit të Gjeografisë për vitin e dytë – gjimnazi i reformuar me shkresë në MASH ka kërkuar Forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët. Në letër është theksuar se disa pjesë në tekst janë ofenduese ndaj kulturës, historisë dhe vlerat e tjera të shqiptarëve në vend, se janë ksenofobike dhe kontribuojnë për stigmatizimin dhe inkurajimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.